Manastir, xhamia 500-vjeçare që u shndërrua në muze           / Foto: TRT Balkan

Jeni Xhamia (Xhamia e Re) në qytetin e Manastirit në Maqedonisë të Veriut, e njohur gjithashtu si Xhamia e Kadi Mahmud Çelebiut, është një monument i rëndësishëm historik dhe kulturor.

E ndërtuar në vitin 1558, xhamia përfaqëson një shembull të shkëlqyer të arkitekturës osmane. Struktura e saj përbëhet nga një bazament katror me një kupolë madhështore dhe një minare që arrin lartësinë prej 40 metrash. Ajo ka një kupolë të mbuluar me plumb, e cila e bën atë një shembull klasik të arkitekturës osmane të periudhës së ndërtimit.

Por, pas shumë vitesh gërmimesh dhe restaurimesh me lejen e autoriteteve, ajo në vitin 2015 fillimisht u bë galeri e arteve, ndërsa tani si Muze i i trashigimisë kulturore krishtere dhe islame.

Drejtori i Institutit dhe Muzeut të Manastirit, Zoran Nikollovski, tha se vendimi për shndërrimin e xhamisë nga galeri në ekspozitë muzeale është bërë për shkak edhe të shfaqeve të papërshtatshme që janë ekspozuar në xhaminë që shërbente dikur si galeri. Ai thotë se tani si muze ky objekt fetar do t’i respektojë në maksimum dy religjionet më të mëdha në vend.

"Nuk është muze klasik, por është një ekspozitë muzeale ku ka arte fakte të gjurmuara nga dy religjionet më të mëdha, nga krishterizmi dhe islami, andaj është quajtur ekspozitë muzeale e trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit. Ideja ime ishte t'i respektojmë në maksimum dy religjionet, sepse këtu kemi jetuar gjithmonë dhe unë mendoj se duhet të jetojmë përgjithmonë", tha Zoran Nikollovski, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Manastirit.

Këtë vendim e kundështroi Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut. Drejtori i vakëfeve pranë BFI-së, Fehmi Ebipi, tha se si insitucion vijojnë betejën gjyqësore për rikthimin e xhamisë në funksionin për të cilin është ndërtuar.

“E gjithë kjo është bërë pa lejen e BFI-së dhe pa na konsulltuar fare. Bashkësia Islame prej vitit 1991 pa rreshtur në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar nga organet gjegjëse që xhamia t’i kthehet pronarit të vërtetë BFI-së, si dhe të shërbejë për qëllimin primar për çfarë është ndërtuar xhamia. Për çudi, ne duke qenë në konteste, drejtoria e muzeut dhe enti i Manastirit vendos që në mënyrë joligjore pa një vendim nga Ministria e Kulturës, vendos që ta transformojë nga galeri arti në muze”, tha drejtori i vakëfeve pranë BFI-së, Fehmi Ebipi.

Transformimin e Jeni Xhamisë në muze e kundërshtuan parti politike dhe disa shoqata kulturore në Maqedoninë e Veriut.

TRT Balkan / agjencitë