Industria e mbrojtjes e Türkiyes është rritur me ritmin e saj më të shpejtë për gati dy dekada, dhe dy raporte të publikuara së fundmi zbulojnë se në çfarë niveli ka arritur industria e armëve në vend.
Lista e 100 kompanive më të mira të mbrojtjes 2022 – renditja vjetore nga faqja globale e lajmeve Defense News – ka tri kompani turke në 100 më të mirat. Ndërsa Aselsan ishte e 49-ta në listë, Turkish Aerospace Industries (TAI) ishte e 67-ta dhe Roketsan u rendit e 86-ta.
Në vitin 2020, lista kishte shtatë kompani turke. Edhe pse më pak kompani janë renditur në Top 100 tani, eksportet e armëve të Türkiyes u rritën ndjeshëm brenda tri viteve. Ndërsa eksportet e mbrojtjes ishin 2,28 miliardë dollarë në 2020, ato u rritën në 4,3 miliardë dollarë në 2022.
Nga ana tjetër, një raport për transfertat ndërkombëtare të armëve në vitin 2022, i përgatitur nga instituti SIPRI me seli në Suedi, tregon se eksportet e armëve të Türkiyes u rritën me 69 për qind në periudhën katërvjeçare 2018-2022 krahasuar me 2013-2017.
Pjesa globale e Türkiyes në tregtinë e armëve u rrit nga 0,6 përqind në 1,1 përqind në 2018-2022, duke e bërë vendin eksportuesin e 12-të më të madh të armëve në botë. Gjithashtu, importet ranë me 49 për qind kur u krahasuan këto dy periudha.
Përderisa sektori rritet në kohë të pasigurta globalisht, kompanitë turke të mbrojtjes do të shohin ulje dhe ngritje në performancë. Megjithatë, rritja graduale e industrisë është pothuajse e pashmangshme.
Në kohë kur kompanitë turke furnizuan vetëm 20 për qind të pajisjeve ushtarake të ushtrisë në vitin 2004, shifra u rrit në 80 për qind në vitin 2022.
Ky ndryshim pozitiv ishte për shkak të vendimit të qeverisë turke për të indigjenizuar industrinë e armëve në fillim të viteve 2000. Që atëherë, kompanitë turke kanë prodhuar pushkë, automjete të blinduara, sisteme portative raketash tokë-ajër ose MANPAD, njësi artilerie, lloje të ndryshme raketash me rreze deri në 1.000 km, helikopterë, avionë sulmues të lehtë dhe, më e rëndësishmja, dronë të armatosur të avancuar, reputacioni i të cilëve ka arritur në të gjitha anët e botës.
Në anën tjetër, Türkiye tani është në prag të prodhimit të avionëve luftarakë, tankeve dhe aviatorëve, të cilët mund të gjenerojnë më shumë të ardhura. Sipas deklaratave të kompanive prodhuese, të gjitha armët që janë të vështira për t’u prodhuar do të jenë në përdorim deri në vitin 2028.
Në fillim të këtij muaji, TAI nxori dronin e saj më të avancuar të armatosur Anka-3, avionin e lehtë për sulm dhe stërvitje Hurjet dhe avionin e tij të gjeneratës së 5-të TFX.
Paralelisht me zhvillimin e avionëve, filiali i TAI-t, TEI, kompania e prodhimit të motorëve do të testojë motorin e tij shtytës prej më shumë se 2.700 kg, brenda këtij viti dhe njëkohësisht fillon të punojë në një motori shtytës prej 15.875 kg për TFX, i cili pritet të jetë gati deri në vitin 2028.
Në anën tjetër, prodhuesi i automjeteve të blinduara BMC do t’i dorëzojë ushtrisë turke dy tanke Altay në prill dhe do të fillojë prodhimin masiv në 2025. BMC-ja e zgjidhi problemin e motorit duke e blerë atë nga Koreja e Jugut derisa të mund të përdorë motorin e saj me fuqi 1.500 HP, Batu, në vitin 2026.
Prodhuesit turq të raketave, anijeve, dronëve, automjeteve dhe softuerëve ushtarakë po tregtojnë gjithashtu produktet e tyre, të cilat nuk kërkojnë pjesë të huaja.
Raportet thonë se Aselsan, kompania më e madhe e mbrojtjes në Türkiye, ka një ngarkesë prej gati 7,6 miliardë dollarë. BMC-ja ka porosi për dy vjet për automjetet e saj rezistente ndaj minave Kirpi. Baykar Tech u ka kërkuar gjithashtu klientëve të saj të presin disa vjet për të marrë dronët e tyre.
Për më tepër, BMC-ja thotë se shumë vende mezi presin të blejnë tankun indigjen Altay të Türkiyes. Gjithashtu, një tjetër bum shitjesh pritet të dëshmohet kur avionët TFX fluturojnë në qiell. Si shembull i fundit, Roketsan ka arritur të prodhojë raketa tokë-ajër që godasin objektivin në një distancë prej 150 kilometrash.
Nga pikëpamja e përgjithshme, Türkiye është ngjitur në statistika sa i përket industrisë së mbrojtjes me armët e saj më të vogla dhe me kosto të ulët, shumica e pjesëve të të cilave prodhohen në vend.
Për shembull, prodhuesit turq të dronëve dhe raketave janë aq të vetëmjaftueshëm sa embargot e huaja nuk mund të ndalojnë më prodhimin e tyre.
Prandaj, ata janë të lirë të prodhojnë dhe të tregtojnë armët e tyre në tregun ndërkombëtar. Falë indigjenitetit dhe cilësisë së armëve të tyre, Türkiye mund të bëhet një eksportues i rëndësishëm armësh me më shumë se 4 miliardë dollarë të ardhura.
Për shembull, ndërsa çmimi i një automjeti me rrota të blinduara është 500.000 dollarë, një tank Altay mund të blihet për 15 milionë dollarë. Po kështu, ndërsa një dron Bayraktar TB2 kushton 5 milionë dollarë, droni krejt i ri Kizilelma do të kushtojë të paktën 30 milionë dollarë. Më në fund, kostoja e avionit TFX pritet të jetë 100 milionë dollarë. Kjo do të thotë se shitja e vetëm 40 njësive të luftëtarëve TFX do të sjellë të njëjtat të ardhura si eksportet aktuale të mbrojtjes së Türkiyes.
Mund të konkludohet se Türkiye së shpejti mund të jetë në 10 eksportuesit kryesorë të armëve dhe të arrijë të ardhurat prej 20 miliardë dollarësh nga eksporti brenda dhjetë viteve. Kështu, përveç të qenit i mbështetur te vetja në blerjen e armëve, do të gjenerojë vende pune dhe të ardhura të reja, për të mos përmendur ndikimin në politikën e jashtme turke.
Sektori turk i mbrojtjes tashmë ka hyrë në garën globale. Prandaj, është e pashmangshme që kompanitë ta mbajnë vendin në ligën më të lartë të prodhuesve dhe shitësve të armëve.