Bota po plaket: Deri në 2050-tën do të ketë 1.5 miliardë njerëz mbi 65-vjeç      Foto: AA

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), deri në vitin 2050 bota pritet të ketë rreth 1.5 miliardë njerëz mbi moshën 65-vjeç, me çka shkalla e popullsisë së moshuar do të dyfishohet. Nëse këto parashikime realizohen, popullsia e moshuar do të përbëjë 22 për qind të popullsisë së përgjithshme të botës.

Për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për shëndetin e të moshuarve dhe për të rritur standardin shëndetësor dhe social të jetesës së të moshuarve, OKB në vitin 1990 shpalli 1 tetorin si Ditën Botërore të të Moshuarve.

Me këtë rast, në mbarë botën po eksplorohen potencialet për mirëqenien individuale të të moshuarve dhe për zhvillimin e këtij komuniteti. Tema e Ditës Botërore të të Moshuarve këtë vit ishte “Barazi digjitale për të gjitha moshat”.

Të moshuarit janë larguar nga jeta sociale për t’u mbrojtur nga virusi, por në këtë mënyrë janë bërë më të hapur ndaj kërcënimeve kibernetike. Duke marrë parasysh këtë, në plan të parë do të dalin përpjekjet për të përmirësuar aftësitë digjitale të të moshuarve në përputhje me temën.

Duke theksuar se njerëzit e moshuar janë një burim i njohurive dhe përvojave dhe se ata mund të kontribuojnë në përparimin e brezave nëse ata kanë qasje në teknologjitë e reja, OKB-ja bëri thirrje për zbatimin e politikave, strategjive dhe aktiviteteve gjithëpërfshirëse për të garantuar barazinë digjitale për të gjitha moshat.

Shumica e të moshuarve jetojnë në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut

Popullsia e botës, e cila është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, në vitin 1999 ishte 6 miliardë dhe në vitin 2011 arriti në 7 miliardë. Këtë vit, popullsia e botës ka arritur në 7.8 miliardë.

Sipas OKB-së, midis viteve 1950 dhe 2010 jetëgjatësia u rrit nga 46 në 68 vjet, ndërsa në vitin 2019 në mbarë botën u regjistrua 703 milionë njerëz të moshës mbi 65-vjeç.

Në të njëjtin vit, rajoni i Azisë Lindore dhe Juglindore ishte në krye për sa i përket popullsisë së moshuar, respektivisht me gjithsej 261 milionë njerëz të moshës mbi 65-vjeç. Evropa dhe Amerika e Veriut pasuan me një popullsisë të moshuar prej mbi 200 milionë banorësh.
Sipas të dhënave nga “Statista”, e cila ofron të dhëna statistikore në internet, në vitin 2021 26 për qind e popullsisë së botës ishte nën moshën 15-veç, ndërsa 10 për qind ishte mbi 65-vjeç.

Dy herë më shumë të moshuar

Popullsia e të moshuarve deri në vitin 2050 pritet të rritet ndjeshëm në mbarë botën.

Aktualisht ka mbi 1 miliard njerëz të moshës 60-vjeç e më lartë, shumica e të cilëve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Sipas parashikimeve të OKB-së, përqindja e popullsisë së moshuar në popullsinë globale do të dyfishohet dhe deri në vitin 2050 popullsia mbi moshën 65-vjeç do të tejkalojë shifrën 1.5 miliardë. Po ashtu vlerësohet se njerëzit e moshës 60-vjeç e më lartë, të cilët aktualisht përbëjnë 12,3 për qind të popullsisë së botës, deri në vitin 2050 do të përbëjnë rreth 22 për qind të popullsisë së botës.

Një në tetë njerëz në botë janë të moshës 60-vjeç e më lartë dhe sipas OKB-së numri i të moshuarve në botë do të vazhdojë të rritet pasi nivelet e lindshmërisë vazhdojnë të shënojnë rënie dhe jetëgjatësia vazhdon të rritet.

Rritje më e madhe në Azinë Lindore dhe Juglindore

Vlerësohet se rritja më e madhe e popullsisë së moshuar me 312 milionë do të jetë në Azinë Lindore dhe Juglindore. Popullsia e të moshuarve, e cila në vitin 2019 ishte 261 milionë, në vitin 2050 pritet të rritet në 573 milionë.

Sipas parashikimeve, rritja më e shpejtë e numrit të të moshuarve do të regjistrohet në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore. Në këto rajone, popullsia e moshuar, e cila ishte 20 milionë në vitin 2019, pritet të rritet me 226 për qind duke arritur në 96 milionë në vitin 2050.

Rritja e dytë më e shpejtë pritet në rajonin sub-saharian të Afrikës me 218 për qind. Popullsia e moshës 65-vjeç e më lartë, e cila ishte 32 milionë në vitin 2019, pritet të arrijë në 101 milionë në vitin 2050.

Nga ana tjetër, vlerësohet se në Australi dhe Zelandën e Re popullsia e moshuar do të rritet relativisht ngadalë, respektivisht duke u rritur për 84 për qind. Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, ku popullsia tashmë është dukshëm më e moshuar se në pjesët e tjera të botës, numri i të moshuarve pritet të rritet për 48 për qind.

AA