20 vjet "Karta e Adriatikut", rruga e Ballkanit drejt NATO-s / Foto: AA

Karta e Adriatikut është platformë rajonale bashkëpunimi, nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më qëllim fillestar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Sot u zhvillua një tjetër takim i vendeve anëtare të kësaj platforme, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe vendeve mbikëqyrëse, Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë.

E firmosur 20 vjet më parë, më 2 maj 2003 në Tiranë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe ShBA-së, është ndër platformat rajonale që ka përmbushur synimin fillestar, pasi të tria vendet themeluese u bënë anëtare të NATO-s, bashkë me Malin e Zi e më vonë u bë pjesë e nismës.

Qëllimet e Kartës së Adriatikut

Përveç arritjes së anëtarësimit në NATO, vendet e Ballkanit Perëndimor panë edhe përfitime të tjera nga kjo nismë.

Karta e Adriatikut u themelua me qëllime për të rritur dhe fuqizuar bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, stërvitjet e përbashkëta të ushtrisë, fuqizimin e demokracisë, luftën kundër terrorizmit dhe reformimin e forcave të armatosura në vendet anëtare.

Zgjerimi dhe evoluimi

E nisur mes Shkupit, Tiranës, Zagrebit dhe Washingtonit, Karta e Adriatikut u zgjerua në vitin 2008 edhe me Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Në të njëjtin vit Kroacia dhe Shqipëria morën ftesën për anëtarësim në NATO dhe u bënë anëtare një vit më vonë. Ndërsa, Maqedonia e Veriut mbeti peng i vetos greke për shkak të kontestit që kishte për emrin e shtetit, deri në vitin 2020 kur fitoi anëtarësimin e plotë. Ndërkohë edhe Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s në vitin 2017.

Kosova merr pjesë në Kartën e Adriatikut si vend vëzhgues, edhe pse ka shprehur interesin e saj për anëtarësim të plotë në këtë nismë. Qeveria e Kosovës në të njëjtën kohë po përgatit procedurën e nevojshmë për aplikim në NATO, duke bërë të qartë orientimin e saj strategjik.

Në vitin kur shënon 20-vjetorin e themelimit, me Kartën e Adriatikut udhëheq Maqedonia e Veriut. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se synon ta riformatojë dhe ta zhvillojë më tej këtë nismë. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka ndërmarrë hapa në drejtim të përgatitjes së një Koncepti të ri Strategjik, duke përgatitur një draft dokument me propozime dhe udhëzime specifike mbi të cilat do të bazohej bashkëpunimi i Kartës në dekadën e ardhshme.

TRT Balkan