Ministeriali CEDC: Ballkani Perëndimor mbetet një nga prioritetet kryesore / Photo: ATSH

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që u kryesua nga presidenca hungareze, në Budapest.

Peleshi u mirëprit nga ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, i cili në fjalën e mirëseardhjes vlerësoi kontributin e iniciativës së CEDC-së në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar se vendet e Evropës Qendrore e kanë në fokusin e tyre Ballkanin Perëndimor dhe për këtë ky rajon ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të iniciativës CEDC.

Nga ana e tij, ministri Peleshi u shprehu mirënjohjen vendeve të CEDC për fokusin dhe vëmendjen që i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin te përfshirja e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, e njëherësh duke vlerësuar maksimalisht përfshirjen e Kosovës në këtë nismë.

Ministri i Mbrojtjes rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes në çdo bashkëpunim rajonal/ndërkombëtar që ka si qëllim përballimin e sfidave të kohës, rritjen e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Më tej, Peleshi evidentoi sfidat me të cilat po përballet rajoni ynë, që nga pasojat e luftës në Ukrainë, influencat e huaja me qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur veçanërisht situatën e tensionuar në veri të Kosovës pak kohë më parë.

Peleshi theksoi se:, “Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, aq fort i promovuar dhe kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është e vetmja zgjidhje për moscenimin e integritetit dhe paqes në rajon”

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vijojë të jetë një nga kontribueset më të mëdha të bashkëpunimit rajonal, të promovimit të fqinjësisë së mirë, të mbështetjes së parimit të pranimit të njëri-tjetrit dhe gjithëpërfshirjes, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe prioritetet si dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kryesimit hungarez të CEDC-së.

Iniciativa CEDC, por dhe formati në kuadër të saj dedikuar Ballkanit Perëndimor ka forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis shteteve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.

ATA