7 marsi, 136 vjet nga shkolla e parë shqipe.     / Foto: ATA

Si sot para 136 vitesh u shënua një kthesë thelbësore në historinë e popullit shqiptar, e veçanërisht në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Më 7 mars të vitit 1887 u themelua Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, dhe sot e tutje llogaritet si datë e madhe për arsimin shqip.

Kjo ditë shënohet me qëllim që të ngrihen më lart traditat e shkollës kombëtare e të çmohet figura e nderuar e mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, roli i të cilëve është i madh në edukimin e brezit të ri dhe në zhvillimin e gjithanshëm arsimor e kulturor të kombit.

Shkolla e parë shqipe konsiderohet një institucion kombëtar, si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga forma, ngase ishte shkolla e parë shqipe për nxënës të të gjitha besimeve, gjinive dhe shtresave popullore ku mësimi jepej falas. Si e tillë, ajo shkollë u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare, sepse këtu mbizotronte parimi i kombëtares mbi ndasitë fetare.

Drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindasi Pandeli Sotiri.

Ai llogaritej një patriot i madh, i cili me vizionin e tij njerëzor e kombëtar bëri që pashkëputshëm 136 vjet me radhë të përhapet drita e arsimit dhe ngjallja kulturore e kombëtare e popullit shqiptar.

Si për nga përmbajtja, struktura dhe plani mësimor, shkolla në fjalë kishte fizionominë e një shkolle të përparuar, e cila shërbeu si penë (model) për shkollat e ngritura më vonë.

Si çdo vit të zakonshëm edhe këtë vit për 7 mars institucionet arsimore, por edhe institucione të tjera të trevave shqiptare kanë organizuar aktivitete të ndryshme, përfshirë ekspozita, takime dhe ceremoni.

TRT Balkan