Shqipëria me bursa dhe akomodim falas për studentët nga Lugina e Preshevës/ FOTO:  Igli Hasani/ FB

Studentët nga Lugina e Preshevës do të kenë bursa studimi në universitetet shqiptare. Nisma e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë “Për shqiptarët në rajon”, nisi sot me bursat e studimit, që 5 universitete shqiptare do të ofrojnë çdo vit akademik, për studentë të Luginës së Preshevës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, deklaroi sot se studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit Hasani, kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu, dhe rektorit të universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër Bektash Mema, për nismën “Për shqiptarët në rajon: Mundësi studimi për studentët e Luginës së Preshevës”, mbajtur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Hasnai u shpreh se do të jenë 30 bursa në vit, duke filluar nga viti tjetër akademik 2024-2025.

Fillimisht Hasani uroi “gëzuar 7 Marsin, këtë ditë simbolike të mësimdhënies, duke i përçuar një falënderim të posaçëm mësuesve për ndryshimin frymëzues që ata sjellin”.

“Jam i lumtur që pikërisht në këtë ditë kaq të rëndësishme, mirëprita një grup miqsh nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës dhe nga disa universitete kryesore në Shqipëri, për të diskutuar mbi një nismëtë rëndësishme bashkëpunimi në fushën e arsimit universitar”, tha Hasani.

Konkretisht, theksoi Hasani, “duke filluar nga viti akademik 2024-2025, 30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit”.

“Jo vetëm kaq, por duke ndjekur modelin që ka propozuar Bashkia e Gjirokastrës dhe Universiteti i Gjirokastës, e cila e ka nisur projektin që në tetor të vitit të kaluar, studentëve mund t’u ofrohen edhe mundësi punësimi në Shqipëri gjatë muajve të verës”, tha Hasani.

Hasani theksoi se “nuk është e rastësishme që Shqipëria ka zgjedhur pikërisht arsimin si fokusin kryesor të mbështetjes për Luginën. Ne besojmë që pikërisht nga arsimi fillon e gjithë përpjekja për fuqizimin dhe rivitalizimin politik, ekonomik, kulturor e social të këtij komuniteti të bashkëkombësve tanë të cilët përballen me një situatë jo të lehtë dhe meritojnë të gjithë mbështetjen tonë”.

Por, vijoi ai, “edhe pse fillon me arsimin, angazhimi i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk mbaron këtu. Ky angazhim nuk përfshin vetëm Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme apo vetëm universitetet e bashkitë, sepse këtu bëhet fjalë për një vullnet të qartë e të shprehur të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Edi Rama, për të mbështetur në çdo fushë e përmes sa më shumë nisma konkrete për vëllezërit e motrat tona në Preshevë”.

Ndërkohë, shtoi Hasani, “janë duke u shqyrtuar me shumë prioritet, mënyrat se si mund të ofrohet për Luginën, mbështetje për specializime në fushën e mjekësisë dhe të zhvillimit të praktikave mjekësore pranë spitaleve shtetërore apo private në Shqipëri, por mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe medies”.

Përveç këtyre nismave, Hasani u shpreh se, “në të ardhmen e afërt, objektivat tona do të materializohen edhe me projekte të tjera në ndihmë të komunitetit shqiptar. Së pari, për të frenuar pasivizimin e adresave, çka padyshim është diçka që na shqetëson shumë, së dyti, për njohjen e diplomave dhe thellimin e shkëmbimeve kulturore, ekonomike e tregtare, sepse besojmë se kjo do të kontribuojë në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili përbën edhe një kriter të procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Thellimi i bashkëpunimit me faktorin shqiptar, kudo në rajon, garantimi i të drejtave të tyre të gjithë shqiptarëve dhe fuqizimi i tyre politik, social e ekonomik, janë prioritete të punës tonë”, theksoi Hasani.

Hasani i siguroi shqiptarët e Luginës se në Shqipëri do ta kenë gjithmonë derën e hapur për çdo ndihmë apo lloj bashkëpunimi.

TRT Balkan / agjencitë