Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në seancën e sotme ku u konstitua përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e dalë nga zgjedhjet e majit, 76 deputetë votuan “pro”, 6 ishin “kundër”, ndërsa asnjë nuk abstenoi.
Pasi mori mbështjen e nevojshme, Gashi nga foltorja e Kuvendit tha se do të kujdeset që çdo deputeti t’i garantohet e drejta për t’u shprehur.
“Duke qenë se ky është mandati im i tretë parlamentar, mund të them se kam pasur mundësinë të jem anëtar i qeverisë dhe i opozitës. Do të kujdesem që çdo deputeti t’i garantohet e drejta për t’u shprehur. Përkatësia ime e vetme do të jetë që asnjë deputet të mos diskriminohet”, tha kryetari i ri i kuvendit, Afrim Gashi.
Në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut po ashtu u verifikuan edhe mandatet e 118 deputetëve që dolën nga zgjedhjet e fundit.
Kujtojmë që Afrim Gashi është kryeparlamentari i dytë shqiptar që zgjidhet në historinë e Maqedonisë së Veriut.