Nën kujdesin e Ambasadës turke në Tiranë është organizuar ceremonia përkujtimore për përvjetorin e tetë të tentativës për grusht shteti në Türkiye, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Në ceremoninë e organizuar tek Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit "Yunus-Emre" për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, rektori i Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), Ali Güneş, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.
Ambasadori Atay në fjalën e tij u shpreh se kombi turk me rezistencën e tij të nderuar, mbrojti rendin kushtetues, parlamentin dhe qeverinë legjitime, duke sakrifikuar 252 dëshmorë dhe mijëra veteranë dhe sipas tij shkroi një epope të demokracisë.
Atay theksoi se me përpjekjet e shtetit turk u shkatërrua shtylla kurrizore e FETO-s në Türkiye, e cila sipas tij, përveç se është organizatë terroriste, është edhe një rrjet spiunazhi me atribute "kulti".
"Në Shqipëri, për fat të keq, shikojmë që struktura e FETO-s vazhdon të ekzistojë në mënyrë te rrezikshme. Organizata shfrytëzon popullin vëlla shqiptar me sistemin e shfrytëzimit që ka krijuar në sektorin fetar, shëndetësor dhe arsimor. Ne do të vazhdojmë të shpjegojmë në çdo rast se çfarë lloj organizate terroriste e gjeneratës së re është FETO-ja, për faktin që Shqipëria të mos përjetojë ato eksperienca të dhimbshme që ka kaluar vendi ynë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kjo situatë nuk është lehtë për t'u kuptuar", tha Atay.
Duke theksuar se dëshiron të jap një mesazh mbi FETO-n për komunitetin ndërkombëtar në Tiranë, Atay tha se "Kësaj organizate iu thye shtylla kurrizore në Türkiye. Po ashtu dita ditës po humbet pushtetin edhe jashtë vendit. Pra, do të pushojë së ekzistuari. Ajo që është e përhershme është Republika e Türkiyes, një anëtare e NATO-s dhe kandidate në BE, e cila ka një rëndësi kritike për demokracinë, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës".
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur në emër të organizatave të shoqërisë civile tha se mbledhja pranë memorialit është kthyer në ritual, që flet sipas tij për respektin e palëkundur për 253 martirët e një momenti të kobshëm, e njëkohësisht të lavdishëm në historinë e shtetit modern turk.
"Pushtuesit e urave, aeroporteve, televizioneve, institucioneve shtetërore, agresorët me tanke, avionë e helikopterë, nuk e kishin imagjinuar atë reagim të fuqishëm popullor. Kushtrimi i presidentit Recep Tayyip Erdoğan nëpërmjet një mjeti telefonik, çoi në këmbë vullnetin e popullit, asnjëherë më parë të treguar aq energjikisht", tha Gurra.
Gurra theksoi se shteti turk ka dashur të ua bëjë të qartë të gjitha vendeve mike dhe partnere rrezikshmërinë e organizatës terroriste FETO. "Në vendin tonë kemi akoma shumë përpara luftë për të bërë për ndërgjegjësimin e njerëzve për rrezikun gylenist dhe funksionimin kapilar dhe të fshehtë të kësaj organizate", u shpreh ndër të tjera Gurra.
Gjatë ceremonisë u bënë lutje për dëshmorët, ndërkohë u ekspozuan edhe fotografi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti në Türkiye.