Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, priti në takim Ambasadorin e Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se gjatë takimit, Proda dhe Atay vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit historik të Policisë së Shqipërisë me agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Türkiyes dhe me Ambasadën e Türkiyes në Tiranë, si dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Proda ka shprehur falënderim, në veçanti, për bashkëpunimin me homologët turq, "për kapjen në Türkiye të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi, dhe ekstradimin e tij në Shqipëri".
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Türkiyes ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Türkiyes për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare”, është shprehur Proda.
Proda ka theksuar se Policia e Shqipërisë është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave.
Ambasadori Atay ka vlerësuar bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të Republikës së Türkiyes dhe Policisë së Shqipërisë.
Gjithashtu, theksohet se ambasadori turk garantoi Prodën se Ambasada e Türkiyes në Tiranë është e angazhuar maksimalisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Policia turke.