Anija ushtarake turke në Durrës, autoritetet ftojnë qytetarët ta vizitojnë / Foto: Autoriteti Portual Durrës

Autoriteti Portual Durrës (APD) fton qytetarët të dielën, më 26 nëntor, të vizitojnë nga afër anijen ushtarake turke “TCG KINALIADA”, e cila do të qëndrojë në Portin e Durrësit.

Sipas APD-së, vizita në këtë anije është një mundësi shumë e mirë për dashamirësit e detarisë që të njohin nga afër kapacitetet e këtij mjeti modern dhe për të mësuar më shumë nga ekuipazhi për jetën dhe profesionet në det.

“Të gjithë qytetarët e interesuar janë të lutur të zbatojnë rregullat e sigurisë portuale në hyrjet dhe zonat e kalimit të dedikuara në Portin e Durrësit”, theksoi APD-ja.

“TCG KINALIADA” është anija e katërt dhe e fundit e ndërtuar në emër të Forcës Detare Turke nga Komanda e Kantierit detar të Istanbulit, në kuadër të Programit MILGEM.

Ndërtimi i saj filloi më 8 tetor 2015, u vendos në platformë më 18 qershor 2016 dhe më 3 korrik 2017 është hedhur në ujë.

Anija ka kryer lundrimin e parë më 25 mars 2019 dhe është futur në shërbim më 29 nëntor.


TRT Balkan / agjencitë