Bajram Begaj, nga karriera ushtarake te posti i presidentit të Shqipërisë

Bajram Begaj, nga karriera ushtarake te posti i presidentit të Shqipërisë

Kush është presidenti i tetë pas përmbysjes së regjimit komunist?
Bajram Begaj, nga karriera ushtarake te posti i presidentit të Shqipërisë     Foto: 

Më 4 qershor të këtij viti, Bajram Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u zgjodh President i ri Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.

Zgjedhja si president i Shqipërisë

Begaj u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në raundin e katërt të procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit, ndërkohë ishte një kandidaturë e vetme e propozuar nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Ai u zgjodh presidenti i tetë i Shqipërisë pas përmbysjes së regjimit komunist, me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa deputetët e opozitës, të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) nuk e mbështetën zgjedhjen e tij.
Begaj ishte kandidaturë e vetme gjatë votimit në Kuvend, ndërkohë u mbështet nga deputetët e Partisë Socialiste.
Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht kryetar i PS-së, Rama, pas zyrtarizmit të kandidaturës, për Begajn, tha se "Është shëmbëlltyra e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi".
Nga ana tjetër, grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk e mbështeti kandidaturën e propozuar nga PS, duke theksuar se "PD nuk mund të votojë një president jashtë një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent."
Ndërkohë, presidenti i zgjedhur zyrtarisht e mori detyrën më 24 korrik, kur edhe përfundoi mandati i presidentit Ilir Meta.

Profili i presidentit të ri

Deri para zgjedhjes së tij në postin e presidentit të Shqipërisë, Begaj ishte i njohur në vend vetëm në jetën ushtarake, pasi nuk ishte angazhuar në politikë.
Bajram Begaj, i cili mbante gradën gjeneralmajor ka lindur më 20 mars 1967 në qytetin e Rrogozhinës. Në vitin 1989, Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë, duke marrë më pas titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi”.

Deri në ditën e zgjedhjes si president, Begaj mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, detyrë që e kishte marrë që nga korriku 2020.
Gjatë karrierës së tij në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Begaj ka mbajtur edhe poste të tjera drejtuese, si drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në ushtri.
Gjithashtu, Begaj ka kryer kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Presidenti i ri i Shqipërisë ka përfunduar doktoratën në fushën e mjekësisë, pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në mjekësi, ndërkohë është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

Kompetencat e presidentit të Shqipërisë


Duke qenë se Shqipëria është republikë parlamentare, presidenti i vendit zgjidhet nga Kuvendi, ndërkohë ka disa kompetenca që janë të përcaktuara në Kushtetutë.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, ndërkohë zgjidhet për një mandat 5 vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Në përcaktimet kushtetuese thuhet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.
Presidenti ushtron disa kompetenca që lidhen me të drejtën e faljes sipas ligjit, jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj, jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit, jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron ambasadorët e Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare, lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit, si dhe dekreton ligjet e miratuara nga Kuvendi.
Ndërkohë, emëron edhe drejtuesit e disa institucioneve të pavarura, si dhe cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve.

AA