Balla: Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet i Qeverisë së RSh-së / Photo: AA

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka deklaruar se lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioritet i Qeverisë së Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku është zhvilluar interpelanca me ministrin e Brendshëm, Balla, mbi "situatën me kriminalitetin dhe masat për të luftuar krimin e organizuar", kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Ervin Salianji.

"Rezultatet e arritura deri më tani janë fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioriteti i kësaj qeverie. Goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë", ka theksuar Balla.

Ministri Balla tha se viti 2023 shënoi dhe nivelin më të ulët të vrasjeve kriminale në Shqipëri, sipas tij, në këto 30 vite që regjistrohen shifrat.

Ai tha se gjatë 300 ditëve të fundit, Policia ka organizuar dhe finalizuar 1.054 operacione policore duke çuar në arrestimin e 6.693 autorëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

"Lufta kundër drogës dhe kultivimit të lëndëve narkotike mbetet prioriteti ynë i padiskutueshëm i Policisë së Shtetit. Gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e kultivimit. Janë kryer 171 operacione policore dhe janë goditur 335 raste të tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Janë asgjësuar 293.047 bimë narkotike kanabis sativa, me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë", u shpreh Balla.

Balla shtoi se lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton çdo ditë shkolla dhe komunitete të sigurta.

Ministri Balla theksoi se Policia e Shqipërisë po fiton një besim më të madh jo vetëm nga qytetarët, por sipas tij dhe nga agjencitë e vendeve partnere.

Gjatë seancës, disa përfaqësues të diasporës shqiptare të pranishëm në lozhën e sallës lëshuan letra si dhe hapën pankartën me mbishkrimin "Dua të votoj 2025-Nga Diaspora", ndërkohë më pas u larguan nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë.

AA