Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën globale të produkteve bazë, e në veçanti të energjisë elektrike në mbarë botën, rrjedhimisht me këtë edhe Ballkanin Perëndimor.
Kësaj krize energjetike botërore do t’i shtohen edhe faktorët shtesë gjatë periudhës së dimrit, si rritja e madhe e konsumit për shkak të ngrohjes, si dhe diferenca e lartë në mes të konsumit dhe prodhimit, me ç’rast ka ndikuar që vendet e Ballkanit të përballen me kufizime të energjisë elektrike.
Pjesa dërmuese e shteteve të rajonit tani më veçse kanë paralajmëruar masat e reja për kursimin e energjisë elektrike.
Maqedonia e Veriut me sanksione për shkelësit e masave të reja
Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut kanë miratur masat e reja për kursimin e energjisë elektrike të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Kryesisht masat e reja u janë dedikuar institucioneve publike qëllimi i të cilave është të kursehet 15 për qind e konsumit të energjisë elektrike, dhe në rast të mos respektimit të tyre parashihen sanksione.
Masat e kursimit në institucionet publike përfshijnë: Të fikin ndriçimin dekorativ në fasadat e të gjitha objekteve publike dhe monumenteve kulturore, të mos përdoret ndriçim në hapësirat e brendshme gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme të ditës, ftohje me kondicionerë jo më të ulët se 27 gradë dhe ngrohje jo më të lartë se 20 gradë, të fiken të gjithë kompjuterat pas përfundimit të punës, ndryshimi i rregullt i filtrave të pajisjeve të ngrohjes dhe kondicionerëve, të shtypen vetëm ato dokumente të domosdoshme dhe zëvendësimi i dritareve të vjetra në hapësirat e punës me dritare të reja PVC.
Kosova, 6 orë me rrymë, 2 orë pa rrymë
Në Kosovë veçse ka filluar zbatimi i masave të reja të kursimit të energjisë elektrike, ku qytetarët e këtij vendi nga 15 gushti ballafaqohen me reduktimet e rrymës çdo 6 orë nga 2 orë .
Kjo masë mund të vazhdohet nga Kuvendi i Kosovës edhe për 30 ditë, më së shumti 180 ditë, gjegjësisht deri në pranverë.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka bërë ndalesën e përdorimit të energjisë elektrike për “mining” (prodhim) të kriptovalutave.
Shqipëria me frikë që s’ka ku të blejë rrymë
Për shkak të hidrologjisë jo të volitshme, thatësirës, që rezultoi me prodhim të zvogëluar, por edhe çmimit të rritur të rrymës, në mars të këtij viti Qeveria e Shqipërisë lëshoi urdhër, me të cilin në të gjitha qytetet dhe vendbanimet është shkyçur ndriçimi i ndërtesave publike, rrugëve, shesheve dhe autostradave.
Madje sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria ka ardhur në pikën kur jo vetëm çmimi i energjisë ka ikur në stratosferë, por edhe ka rënë sasia për tu blerë.
“Jemi në kushtet kur do jetë shumë e vështirë që ta gjejmë”, ka deklaruar Rama.
Reduktimet në Kroaci përfshijnë gjitha sektoret
Udhëzimet për kursimin e energjisë në Republikën e Kroacisë, të cilat qeveria i miratoi muajin e kaluar përfshijnë rekomandime për kursimin e energjisë për amvisëritë, sektorin publik dhe sipërmarrësit, me qëllim të përdorimit sa më efikas të energjisë në mënyrë që Kroacia t'i përgjigjet sfidat e ardhshme të energjisë.
Udhëzimet janë hartuar nga ekspertë dhe bazohen në një paketë dokumentesh nga Komisioni Evropian të datës 20 korrik 2022 mbi kursimet e gazit, të cilat parashikojnë një ulje prej 15 për qind të konsumi i këtij burimi energjetik në periudhën nga 1 gushti i këtij viti deri më 31 mars 2023 në kushtet e sigurisë së pasigurt të furnizimit me gaz nga Rusia këtë dimër.
Ndryshe, masat për kursim të energjisë janë të ngjashme me ato të Maqedonisë së Veriut, por që në këtë rast më shumë i dedikohen qytetarëve si fikja e dritave në ambientet ku nuk qëndrohet, ambienti të ftohet-nxehet në 25 grad celsius, bojleri të nxeh deri më 55-60 gradë celsius, ose të fiket i tëri nëse nuk përdoret brenda 24 orëve dhe të ngjashme.
BeH ende pa masa konkrete
Ndonëse dalngadalë po e përcjellim stinën më të nxehtë të vitit dhe po i afrohemi dy stinëve më të ftohta, deri tani, Bosnja e Hercegovina nuk ka marrë masa konkrete për kursimin e energjisë elektrike.
Nga industria për furnizim me energji elektrike të Bosnje e Hercegovinës apelojnë anashkalimin e energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes së ambienteve.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që energjia elektrike nuk përdoret për ngrohje, sepse nëse energjia elektrike bëhet mjeti kryesor për këtë qëllim, do të ketë mungesë”, thekson Admir Andelija drejtori përgjithshëm i industrisë për furnizim me energji.
Mali i Zi sot pa probleme, por e vuan të ardhmen
Sipas Drejtuesit të sektorit të komunikimeve të korporatave të Industrisë Elektrike Malazeze (EPCG), Tomaš Damjanović, Mali i Zi ka mjaftueshëm energji elektrike për muajin aktual dhe atë të ardhshëm të shtatorit, dhe situata e mëtutjeshme do të varet nga disa faktorë, kryesisht hidrologjik.
"Kufizimet janë përgjithësisht pasojë e krizës globale energjetike, e cila prek të gjithë, përfshirë ne. Situata e tregut është delikate dhe e papërshtatshme për të gjithë pjesëmarrësit. Mund të ndodhë që të keni para të mjaftueshme për të blerë energji elektrike, por nuk ka mallra të mjaftueshme në tregu”, ka thënë Damjanoviq.
Serbia pa masa drastike
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ditë më parë ka theksuar se qeveria po bën përpjekje për të stabilizuar prodhimin e energjisë elektrike në vend dhe për të siguruar rezerva të mjaftueshme të energjisë, në mënyrë që të mos ketë kufizime.
Ajo përkujtoi se Ministria e Minierave dhe Energjetikës ka iniciuar subvencione për ndërrimin e zdrukthtarisë, dyerve dhe dritareve, si dhe ndërrimin e fasadës, me qëllim të rritjes së efikasitetit energjetik.
E pyetur nëse masat shtrënguese do të nënkuptojnë mbylljen e ndriçimit dekorativ në rrugë, siç është rasti në Maqedoninë e Veriut, kryeministrja tha se shumë turistë vizitojnë Beogradin për pushime pikërisht sepse është një nga qytetet më të bukura dhe më të ndritura, dhe se një vendim i tillë do të dëmtonte turizmin.
Për këtë arsye Brnabiç shprehu shpresën se Serbia nuk do të jetë në situatë për të zbatuar masa drastike shtrënguese.