Në prag të dimrit më të vështirë ndër vitesh dhe me krizë energjetike globale, vendet e Ballkanit Perëndimor paralajmërojnë vështirësi të shumta për furnizim të ndërprerë me energji elektrike.
Një analizë e TRT BALKAN tregon se vendet ballkanike janë kryesisht të varura nga importi. Prodhimi vendor është nën mesataren evropiane në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, në kushte kur secili shtet pritet të përballet me probleme lidhur me furnizimin e energjisë elektrike, edhe furnizimi nga importi rrezikohet. Përveç asaj, çmimet e energjisë elektrike në bursë janë rritur shumë që nga fillimi i krizës energjetike.
VARËSIA NGA IMPORTI
Ndër vendet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut është më e varura nga importi i energjisë elektrike. Të dhënat tregojnë se thuajse 2/3 e energjisë së konsumuar në vend mbulohet nga importi. Ky është dyfishi i mesatares për rajonin.
Tek të gjitha vendet e tjera, importi mbulon nga 25 deri 35 për qind të energjisë së konsumuar. Pesë vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë më mirë se mesatarja e Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Për vendet anëtare të BE-së, mesatarja e varësisë nga importi është 57.5 për qind.
PRODHIMI VENDOR I ENERGJISË ELEKTRIKE
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dy vendet e Ballkanit Perëndimor më të varura nga importi i energjisë elektrike, kanë edhe prodhimin vendor më të ulët krahasuar me rajonin. Shqipëria prodhon vetëm 1.9 gigavat orë për 1.000 banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm 2.6 gigavat orë për 1.000 banorë në vit.
Kosova prodhon 3.8 gigavat orë energji elektrike për 1.000 banorë në vit, ndërsa Bosnja dhe Hercegona, Mali i Zi dhe Serbia tejkalojnë 5 gigavat orë për 1.000 banorë. Sidoqoftë, asnjëra nuk arrin mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, ku prodhimi vendor është mesatarisht 6.2 gigavat orë për 1.000 banorë.
ENERGJIA E RIPËRTËRITSHME
Energjia e ripërtëritshmë është energjia e përfituar nga burime natyrore që rimbushen më shpejt se sa harxhohen. Drita e diellit dhe era, për shembull, janë burime të tilla që rimbushen vazhdimisht. Burimet e ripërtëritshme të energjisë janë të shumta dhe gjithandej rreth nesh në Ballkan, por investimi në shfrytëzimin e tyre për prodhimin e energjisë elektrike ka qenë relativisht i ulët.
Në disa vende, edhe ato infrastruktura që janë ndërtuar nuk janë menaxhuar mirë dhe nuk është maksimizuar prodhimi. Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, prodhimi në hidrocentrale ka rënë ndjeshëm viteve të fundit, sipas autoriteteve, për shkak të keqmenaxhimit të ujërave.
Shifrat tregojnë se Bosnja dhe Hercegovina mbulon më së shumti konsumin e energjisë nga burime të ripërtëritshme, gati se 1/3 nga konsumi i përgjithshëm. Vetëm edhe Kosova dhe Mali i Zi kalojnë 20-përqindëshin, ndërsa sërish më keq janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
SI DO TË FURNIZOHEMI NË DIMËR?
Vendet Ballkanike kanë aktivizuar të gjitha kapacitetet në përgatitje për kulmin e krizës energjetike, që parashikohet të jetë gjatë sezonit të dimrit. Autoritetet po përpiqen të rrisin prodhimin vendor duke sfiduar limitet e infrastrukturës në disponim. Por, është e qartë se kjo nuk do të mjaftojë dhe të gjitha vendet do të duhet edhe të importojnë.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i Hapur” kanë firmosur memorandume për ndihmë të ndërsjellë në krizën energjetike.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar ndihmë edhe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën. Në takimin e parë të nismës së re kontinentale Komuniteti Politik Evropian, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kishte kërkuar nga vendet e BE-së që të mos i lënë të vetme vendet e Ballkanit.
“Është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë, pra ministrat e Energjisë në rajonin tonë, në Ministerialin e Jashtëzakonshëm që do të zhvillohet po në Pragë me të gjithë ministrat e energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje evropiane, dhe jo si një çështje thjesht e BE”, tha Rama pas samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë.
Por, secili nga shtetet veç e veç, gjithashtu po zhvillon takime dhe bisedime bilaterale për të siguruar furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike. Delegacione të larta të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequra nga kryeministri, tashmë kanë vizituar Türkiye-n, Greqinë dhe Bullgarinë, me të cilat po bisedojnë për furnizim me energji elektrike. Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se Türkiye është pajtuar t’i shesë energji elektrike vendit me çmim dyfish më të lirë se çmimi në bursë.