Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi investimet në nënstacionin elektrik të Lushnjës, të cilat garantojnë siguri energjetike dhe furnizim brenda të gjitha parametrave për abonentët.
Balluku u shpreh se falë investimeve të kryera eficienca e sektorit energjetik është rritur, pasi niveli i humbjeve ka zbritur në 19 % nga 45 % që ishte në 2013.
Ky sipas saj, ishte dhe një nga faktorët që favorizoi qeverinë për të mbështetur në këtë kohë krize çdo familje shqiptare dhe biznesin e vogël.
“Ne nuk e kemi rritur çmimin e energjisë elektrike as për konsumatorët familjarë dhe as për biznesin e vogël. Ndërkohë po diskutojmë prej disa kohësh se si mund të ndihmojmë bizneset e mëdha që janë në treg të lirë, për shkak të direktivës së BE-së, e që sot për përballen me çmime stratosferike, ku duhet të blejnë energjinë deri në 60 lekë kilovatin”, tha zv/kryeministrja
Ndërkohë, Balluku bëri të ditur se nuk do të ketë kufizime në furnizimin me energji.