BE-ja: Zgjedhjet në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate.     /Foto: AA

Bashkimi Evropian e ka pranuar se zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Nga ana tjetër, ata shprehin keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje.

Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, sipas BE-së tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht. “Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.

Mes të tjerash, në këtë komunikatë thuhet se Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen.

“Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, thonë nga BE-ja.

Ndryshe, pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, dje (23 prill) për herë të parë në veri të vendit janë zhvilluar zgjedhje të jashtëzakonshme në të cilat nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit politik të serbëve, konkretisht partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Sërpska.

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitore në komunën e Mitrovicës veriore dhe atë të Leposaviqit. Përderisa, Partia Demokratike të Kosovës, ka fituar në komunën e Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut.


TRT Balkan