Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe të Kosovës lexoi deklaratën e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve që u miratua në fund të takimit.
Arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë siç tha kryeparlamentari Konjufca është arsyeja se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor.
“Opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara. Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”, deklaroi Konjufca.
Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.
“Të dyja Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas.
Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë. Mbledhja e parë mes Kosovës dhe Shqipërisë për herë të parë u zhvillua më 27 nëntor 2022 në Tiranë.
Kuvendi i Kosovës dhe i Shqipërisë në vijim të mbledhjes së parë së 27 nëntorit të vitit 2022 në Tiranë zhvilluan sot në Prishtinë mbledhjen e dytë të përbashkët.