Vazhdojnë protestat për "rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" / Foto: AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", organizuar nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile.

Protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë protestuesit pretenduan se policia nuk ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës.

Protestuesit kundërshtuan hapjen e rrugës nga policia për qarkullim, ndërkohë u shënuan edhe momente tensionesh.

Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, tha se protesta është e drejtë e tyre demokratike, që sipas tij nuk e mohon dot askush.

Teliti u shpreh se policia duhej të bllokonte aksin rrugor pasi sipas tij është marrë leja dhe miratimi për organizimin e protestës. "Jemi pro paqes, jemi pro Kushtetutës, demokracisë dhe protestës qytetare", tha Teliti.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në fjalën e tij në protestë u shpreh se PD-ja me protestën është në krah të qytetarëve.

Protesta e sotme u organizua nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë morën pjesë edhe deputetë të opozitës.

Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit 2024 të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".

AA