Begaj: Mbështetje çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës / Foto: ATA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Biseda u fokusua në sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Gjatë takimit, Presidenti siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës mbeten parësore për ne deri në zgjidhjen e tyre. Hapja e afërme e Konsullatës së Përgjithshme në Bujanoc është një hap i rëndësishëm”, – vlerësoi Presidenti.

Begaj tha se “nuk duhet që askush në shekullin XXI të dënohet për përdorim të simboleve kombëtare, për mbajtjen e flamurit”.

“Në takimet e mia me ndërkombëtarët kam theksuar domosdoshmërinë e ndalimit të pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të të rinjve që mbyllin studimet në Shqipëri e Kosovë, si një e drejtë që garantohet edhe nga Procesi i Berlinit”, – theksoi Presidenti Bajram Begaj.

Begaj përgëzoi Kamberin për gjithë aktivitetin politik, si dhe për avokaturën në Parlamentin e Serbisë për të mbrojtur çështjen, gjakun, dinjitetin shqiptar.

ATA