Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve janë “tradicionalisht të cilësisë së lartë dhe miqësore” dhe në një “maksimum historik”, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët me homologun e tij kroat, Zoran Milanoviq, në Patovaçak të Kroacisë ku po qëndron për vizitë zyrtare.
Në fjalimin e tij presidenti Begaj përmendi edhe Kosovën, me çka theksoi se për atë, si president i Shqipërisë, Kosova është i një interesi madhor.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vendosur, kjo nuk është çështje dëshirash, individësh. Por, për individët mendoj se dëshirat e tyre duhen lënë mënjanë dhe të punojnë më shumë për mirëqenien e popullit të tyre, të lënë mënjanë retorikën e konflikteve dhe të punojnë për të ndërtuar një shoqëri të Ballkanit Perëndimor, ku njerëzit të kenë të drejtë të jetojnë në paqe, siguri, stabilitet dhe mirëqenie”, tha presidenti Begaj.
Sa i përket Kroacisë, ai potencoi se ajo mund të jetë një “shembull i mirë” për Shqipërinë.
Millanoviq: Shqipëria paragjykohet
Shqipëria duhet të ishte shumë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk është për shkak të paragjykimeve ndaj Ballkanit dhe myslimanëve, theksoi presidenti kroat Zoran Milanoviq, në konferencën e përbashkët për media me homologun shqiptar.
“Shqipëria, për mendimin tim, duhet të ishte shumë kohë më parë në një fazë shumë më të lartë të integrimit në BE”, tha Millanoviq, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye politike, sigurie dhe ekonomike që Shqipëria “të mos jetë në fund të negociatave”.
Mirëpo, sipas tij, për shkak të paragjykimeve nuk është kështu.
“Arsyeja është paragjykimi ndaj Ballkanit dhe ndaj myslimanëve, të mos mashtrohemi”, tha presidenti kroat.
Mes të tjerash, Millanoviq tha se miqësia mes Kroacisë dhe Shqipërisë është “tashmë një fakt i vendosur thellë”.