Begaj: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndikim pozitiv për rajonin. / Photo: AA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po vizitojnë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se senatorët amerikanë shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e ShBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ndërkohë në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera.

Duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj, sipas njoftimit, ka nënvizuar nevojën e përkthimit të dakordimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht.

"Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanit Perëndimor", ka theksuar Presidenti Begaj.

"Presidenti Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendjeje në rritje", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se "Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi se për Shqipërinë e shqiptarët Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre".

Sipas njoftimit, Presidenti Begaj u ndal edhe te sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe "rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon".

"Kreu i shtetit përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, nëpërmjet rezolutave të ndryshme", thuhet në njoftim.

TRT Balkan / agjencitë