Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Astana për thellimin e marrëdhënieve me Kazakistanin.
Sipas një deklarate të bërë nga presidenca e Kazakistanit, thuhet se presidenti Kassym-Jomart Tokayev u takua me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, i cili ndodhet në vend me ftesë të homologut të tij.
Pas ceremonisë zyrtare të mbajtur në rezidencën presidenciale Akorda, dy liderët zhvilluan takim kokë më kokë dhe më pas ndërmjet delegacioneve.
Në fjalimin e mbajtur këtu, Tokayev vuri në dukje se Begaj është presidenti i parë i Shqipërisë i cili zhvillon vizitë zyrtare në Kazakistan.
Vizita në fjalë është jashtëzakonisht e rëndësishme në aspektin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe tha Tokayev, duke shprehur se dëshirojnë të krijojnë marrëdhënie me të afërta me Shqipërinë.
Tokayev theksoi se Shqipërinë e shohin si një partner të rëndësishëm në Ballkan. "Ka shumë ngjashmëri mes Kazakistanit dhe Shqipërisë. Ne jemi vende me shumë kombe dhe shumë fe, në të njëjtën kohë shumica e popullsisë është myslimane", tha ai.
Pasi bëri të ditur se mes kryeqyteteve të dy vendeve duhet të fillohen fluturime direkte, Tokayev tërhoqi vëmendjen mbi mundësitë e bashkëpunimit në turizëm, transport, energji dhe në fusha të tjera.
Begaj: Të gjejmë mundësi për bashkëpunim ekonomik
Nga ana tjetër, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj shprehu kënaqësinë që ndodhet në Kazakistan.
"Kjo vizitë realizohet në 30-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kjo tregon se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve janë në nivel të mirë. Tani duhet të punojmë më shumë dhe duhet të gjejmë mundësi për bashkëpunimin tonë ekonomik. Ju ftoj ju në Shqipëri", tha Begaj.
Begaj deklaroi se kanë rënë dakord për thellimin kryesisht të marrëdhënieve ekonomike duke shtuar: "Krahas sektorit të minierave dhe energjisë, duam të forcojmë bashkëpunimin edhe në fusha të tilla si turizëm dhe infrastrukturë".