Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është pritur sot me nderime shtetërore në Prishtinë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani doli për ta pritur Begajn para Presidencës, ku edhe u intonuan himnet shtetërore nga trupat e FSK-së.
Presidentja Osmani ka postuar në rrjetet sociale edhe një video ku shprehet se është “përjetësisht mirënjohëse për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë”.
Osmani shkruan: “Kosova dhe Shqipëria bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira”.
Begaj pritet t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalim në seancën solemne.
Presidenti i Republikës po merr pjesë në ceremonitë shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Kreu i Shtetit shqiptar është i ftuar nga tri autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës: Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca si dhe Kryeministri Albin Kurti.