Beograd: Vuçiq takon të dërguarin special të qeverisë gjermane.  /Foto: Tanjug / Photo: AA

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot me të dërguarin special të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Zaracin, për situatën në rajon dhe ndër të tjera për rezultatin e takimit të djeshëm në Bruksel.

Me atë rast, Vuçiq ka theksuar se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut me Prishtinën, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, njoftoi Shërbimi i Presidentit serb për Bashkëpunim me Media.

Ai ritheksoi qëndrimin e Serbisë për të gjitha çështjet në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht ruajtjen e paqes, forcimin e mëtejmë të besimit dhe bashkëpunimin më gjithëpërfshirës rajonal.

Presidenti Vuçiq vuri në dukje se rruga drejt integrimeve evropiane është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë dhe shprehu shpresën se angazhimi i të dërguarit të posaçëm Zaracin do të kontribuojë në rinovimin e entuziazmit për zgjerimin e BE-së.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht për potencialet investuese që po hapen në kuadër të organizimit të eventit prestigjioz EXPO 2027.

Presidenti shprehu interesimin e tij për zgjerimin e investimeve gjermane, duke pasur parasysh rëndësinë e Gjermanisë si partner ekonomik i Serbisë.

I dërguari i posaçëm Zaracin shprehu dëshirën e tij për një angazhim më të fortë të gjithë Bashkimit në drejtim të politikës së zgjerimit dhe duke i dhënë një shtysë të re Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane, thuhet në deklaratë.

TRT Balkan