Blinken flet me Kurtin dhe Vuçiqin, për intensifikimin e dialogut.     Foto: TRT Balkan 

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zhvilluar biseda telefonike të martën me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Nëpërmjet një publikimi në Twitter, Blinken thotë se me Kurtin ka folur për partneritetin mes ShBA-së dhe Kosovës, si dhe ka falënderuar kryeministrin për mbështetjen që i jep Kosova Ukrainës.
“Bisedë e mirë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë bilateral dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimit evropian dhe Euro-atlantik. Gjithashtu, e falënderova atë për mbështetjen e palëkundur që Kosova i jep Ukrainës”, thuhet në publikimin e sekretarit Blinken.

Detaje për bisedën telefonike ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës, gjithashtu nëpërmjet rrjetit Twitter. Kryeministri Kurti njofton se me Sekretarin Amerikan të Shtetit kanë biseduar edhe për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi drejt një marrëveshjeje me njohjen e ndërsjellë si epilog përfundimtar.
“Pata një bisedë shumë të mirë telefonike me sekretarin Blinken. E informova për progresin e vazhdueshëm në Kosovë. Biseduam për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e intensifikimit të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht obligative që ka në qendër njohjen reciproke”, shkroi Kurti.
Sekretari Blinken gjithashtu publikoi se me presidentin Vuçiq është diskutuar për përkushtimin e Serbisë për integrimin evropian dhe rolin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Bisedë produktive me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq sot. Diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë bilateral dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt integrimit evropian dhe paqes dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu, e përgëzova për hapjen e Ambasadës së re të Serbisë në ShBA”, publikoi Blinken në Twitter.

Nga kabineti i presidentit serb thonë se çështja e Kosovës ka qenë një nga temat e diskutuara dhe administrata amerikane ka theksuar vullnetin për një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Tri temat kyç të bisedës telefonike ishin çështja e Kosovës dhe dëshira e administratës amerikane për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë, pastaj marrëdhëniet e Republikës së Serbisë me Federatën Ruse, si dhe diversifikimi i burimet energjetike të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Në Prishtinë dhe Beograd po komentohet se ShBA-ja është gjithnjë e më e interesuar dhe aktive lidhur me çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Administrata e presidentit Joe Biden kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë, e cila do të jetë përfundimtare dhe e pranuar nga të gjitha palët.

TRT Balkan