Ndryshimet ligjore për pasaportat dhe dokumentet biometrike do t’u hapin rrugë shumë shpejt prodhimit të dokumenteve digjitale të identifikimit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë se “përgatitja e ndryshimeve ligjore për pasaportat dhe dokumentet biometrikë, ka të bëjë me një ndryshim të rëndësishëm, që u përgjigjet zhvillimeve teknologjike të kohës”.
“Shqipëria duhet të emetojë sa më shpejt të jetë e mundur, e ne po punojmë me kompaninë, që ligji të na mundësojë prodhimin edhe të dokumenteve digjitale të identifikimit”, u shpreh Balla.
Sipas tij, synimi është që të gjitha dokumentet që mbajnë qytetarët në portofolë si ID, patenta, kartela bankare etj., të jenë digjitale, të mbahen në telefonin e gjithsecilit.
“Ndaj, ky ligj është i rëndësishëm, pasi i hap rrugën kompanisë që të ecë me prodhimin e dokumenteve digjitale”, theksoi Balla.