Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, po merr pjesë në Samitin e "Ballkanit të Hapur" në Beograd.

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha në nismën e sotme të Samitit të Ballkanit të Hapur në Beograd se është koha që "të marrim fatin tonë në duart tona".
Duke kujtuar se Ballkani gjatë gjithë historisë së tij ishte i hapur ndaj ndikimeve të ndryshme për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, Çavuşoğlu vuri në dukje rëndësinë e politikës rajonale të Ballkanit.
"Ne kemi përmendur gjithmonë rëndësinë e politikës ballkanike. Në të vërtetë, është koha të marrim fatin tonë në duart tona," tha Çavuşoğlu dhe theksoi se qëllimi veçanërisht premtues i nismës "Ballkani i Hapur" është të sigurojë akses të lirë në tregun e punës.
Shkëmbimet e nxënësve dhe studentëve, projektet e përbashkëta kërkimore dhe njohja e certifikatave profesionale do të mbajnë gjithashtu të rinjtë e kualifikuar të ballkanit në rajon.
“Shpresojmë se e gjithë kjo do të zgjidhë problemin e ikjes së trurit me të cilin ballafaqohet Ballkani”, tha ministri turk dhe shtoi se “si një nga investitorët më të mëdhenj në rajon, besojmë se kjo do të nxisë edhe investimet e huaja direkte”.
Ai kujtoi se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është një thirrje zgjimi.
"Lufta në Evropë është një thirrje zgjimi. Ne shohim se sa të cenueshëm jemi ndaj goditjeve të ndryshme. Dimri po vjen. Energjia dhe siguria ushqimore janë bërë sfida të zakonshme. Nuk ka recetë tjetër përveç solidaritetit," tha Çavuşoğlu.
Ai theksoi se si Türkiye, "ne vazhdojmë të bëjmë më të mirën për zbatimin e qetë të Marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase, e cila u arrit në Istanbul me ndërmjetësimin e Türkiye-s".
"Ne po bëjmë çmos për të ndihmuar fqinjët tanë ballkanik të sigurojnë nevojat e tyre të gazit për dimër," tha Çavuşoğlu, duke shtuar se "lufta konfirmoi rëndësinë e investimit të përbashkët në burimet e rinovueshme të energjisë dhe integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit."
"Ne e shohim nismën e Ballkanit të Hapur si një urë lidhëse midis Ballkanit dhe Bashkimit Evropian. Në të kaluarën, zgjerimi ishte një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Por BE-ja është bërë me shikim të brendshëm dhe interesat e ngushta politike kanë rrëmbyer axhendën e zgjerimit. Askush nuk mund të ofrojë një shpjegim të mirë pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pritur kaq gjatë. Dhe ne i urojmë të dy për fillimin e negociatave të anëtarësimit", tha Çavuşoğlu.
Ministri i Jashtëm turk tha se lufta në Evropë u kujton të gjithëve rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai shprehu shpresën se përvoja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit do të jetë e ndryshme nga përvoja e Türkiye-s.
"Nuk dua as të flas se si anëtarësimi i Türkiye-s politizohet nga interesa të ngushta. Shpresojmë që nisma do të përshpejtojë integrimin evropian të rajonit dhe shpresojmë që edhe më shumë vende t'i bashkohen nismës për Ballkanin e Hapur. Mos harroni se ne jemi të ulur së bashku në të njëjtën tryezë brenda SEECP - dhe për më shumë se 25 vjet. Edhe pse ka shumë për të arritur përmes kësaj nisme në pronësi të Ballkanit, mbeten dy sfida. Së pari, kriza politike në Bosnjë e Hercegovinë", tha Çavuşoğlu
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan javën e ardhshme do të vizitojë Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë. Situata aktuale në Bosnjë e Hercegovinë do të jetë në krye të agjendës sonë", theksoi Çavuşoğlu dhe shtoi: “Nuk mund të lejojmë një tjetër konflikt në zemër të Ballkanit”.
Duke folur për sfidën e dytë, Çavuşoğlu përmendi procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
"Marrëveshja për kartat e identitetit tregon meritën e fokusimit në interesat tona të përbashkëta dhe jo në dallimet. Türkiye ka komunikim të hapur me të dyja palët. Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dialogun për të arritur një marrëveshje për targat e automjeteve dhe çështje të tjera të mbetura. Disa mund të mendojnë se Türkiye është një i huaj apo një rival. Kjo është krejtësisht e gabuar, sepse ne jemi ballkanas dhe jemi krenarë për këtë”, tha Çavuşoğlu.
Ministri turk hodhi poshtë ndarjet artificiale në Ballkan.
"Ne refuzojmë ndarjet artificiale. Ndarja e Ballkanit në Perëndim ose Lindje nuk do t'i zgjidhë problemet tona dhe as do t'i shërbejë askujt. Ballkani duhet të marrë kontrollin e fatit të tij. Ne duhet të heqim pengesat për rritjen. Ne duhet të përparojmë së bashku. Si gjithmonë, ne do të vazhdojmë për të mbështetur çdo përpjekje për të mirën e rajonit tonë”, përfundoi Cavuşoğlu.
Sot në Beograd mbahet Samiti i Liderëve të Hapur të Ballkanit, ku marrin pjesë përfaqësues të Türkiye-s, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Hungarisë, përveç anëtarëve të iniciativës Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

AA