Çmimet e banesave po rriten si në BE, ashtu edhe në rajon.     /Foto: ATA 

Çmimet e banesave në BE në tremujorin e parë të vitit 2023 u rritën me 0,8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, megjithëse pati një rënie prej 0,7 për qind në krahasim me tremujorin e katërt të 2022, sipas raportit të fundit të Eurostatit.

Çmimi i sipërfaqes së banesës është bërë më i shtrenjtë në Kroaci, për 14 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kështu që kroatët, edhe pse janë në BE, ndjekin trendin e fqinjëve të tyre nga rajoni, ku çmimet e apartamenteve, mesatarisht, janë dhjetë për qind më të shtrenjta.

Sipas Eurostatit, në tre muajt e parë të vitit, përveç Kroacisë, çmimet e apartamenteve u rritën më së shumti në Lituani – 13,1 dhe Bullgari – 9,5 për qind. Çmimet e banesave ranë vetëm në gjashtë vende, kryesisht në Suedi – 6,9 përqind dhe Gjermani – 6,8 përqind. Në Danimarkë rënia është 6,2 për qind, por rritja më e lartë tremujore prej 2,5 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar është shënuar atje. Pason Hungaria me 2,2 për qind, më pas Kroacia dhe Qiproja me dy për qind rritje.

Rekordin e mbajnë Estonia dhe Hungaria

Sipas Eurostatit, nga viti 2010 deri në tremujorin e parë të 2023, qiratë janë rritur me 20% dhe çmimet e banesave me 46%, megjithëse qiratë janë rritur vazhdimisht dhe çmimet e banesave janë luhatur në mënyrë dramatike.

Pas rënies midis 2011 dhe 2013, çmimet e banesave mbetën të qëndrueshme deri në vitin 2014 dhe filluan të rriten pas vitit 2015 deri në tremujorin e katërt të 2022.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave u rritën në 24 vende të BE-së dhe u ulën në tri. Rritja më e madhe – më shumë se dyfish është në: Estoni (+200%), Hungari (+180%), Lituani (+146%), Letoni (+132%), Luksemburg (+126%), Republika Çeke (+123%) dhe Austri (+ 122%). Ulje u regjistruan në Greqi (-14%), Itali (-9%) dhe Administrata e Qipros Greke (-2%).

Një metër katror e një apartamenti në Zagreb shitet me një çmim mesatar prej 2.400 euro, në Split 3.200 euro për metër katror, ​​në Rijekë 1.900 dhe në Osijek 1.300 euro. Megjithatë, apartamentet e reja në Zagreb shiten për 3.000, 4.000 e madje edhe 7.000 euro për metër katror.

Enti i Statistikave Kroate njoftoi një të dhënë interesante për kryeqytetin e Kroacisë, ku për herë të parë në dhjetë vitet e fundit është vërejtur një rënie e çmimeve. Pra, në tremujorin e parë, çmimet u ulën me 0,3 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022, kur u shënua një rënie e shitjeve të apartamenteve me rreth 30 për qind.

Si është në rajon?

Si në Kroaci ashtu edhe në rajon, çmimi i apartamenteve ka ardhur në rritje të vazhdueshme vitet e fundit.

Rritja e çmimeve të apartamenteve është evidente edhe në Maqedoninë e Veriut. Çmimet e banesave në Shkup në tremujorin e dytë të këtij viti shënuan rritje prej 1,6 për qind në bazë tremujore dhe 12,9 për qind në nivel vjetor, njoftoi Banka Popullore. Çmimi mesatar i një metri katror në Shkup është 2.000 euro.

Rritje mbi 13% e çmimeve të banesave në Serbi

Çmimet e banesave në Serbi në tremujorin e parë të këtij viti janë 13,62 për qind më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar janë rritur për 2,57 për qind, njoftoi Enti i Gjeodezisë Republikane. Edhe pse trendi i rritjes vazhdoi, numri i apartamenteve të shitura në tremujorin e parë është 15,33% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Çmimet e banesave në ndërtesat e reja në nivel të Serbisë janë rritur për 10,48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa ndërtesat e vjetra kanë rritje vjetore më të lartë prej 15,4 për qind.

Çmimi mesatar për metër katror për banesat e vjetra në tremujorin e parë të këtij viti në Beograd është 2.013 euro, ndërsa për të rejat 2.465 euro dhe një vit më parë kushtonin 1.680 dhe 2.165 euro. Është interesante se apartamentet e vjetra në Novi Sad janë më të shtrenjta se të rejat. Mesatarisht, banorët e rinj paguajnë 1.928 euro për metër katror për një apartament të vjetër dhe 1.723 euro për një të ri. Në qytete të tjera më të mëdha, si në Nish, çmimi mesatar për një apartament të vjetër është 1.221 euro, ndërsa për një të ri 1.351 euro për metër katror.

Shqipëri: Çmimet e banesave janë rritur pas pandemisë

Analiza e Bankës Qendrore të Shqipërisë tregoi se çmimet e banesave po rriten shumë shpejt, veçanërisht pas pandemisë. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2021, rritja mesatare e çmimit në Tiranë deri në qershor 2022 ishte 15,6 për qind, pra çmimi mesatar për metër katror në kryeqytet ishte 1.128 euro. Çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë ishte 35 për qind më i lartë se në bregdet dhe 56 për qind më i lartë se në zonat e tjera.

Sipas të dhënave aktuale të “Numbeo”, çmimi mesatar për metër katror sipërfaqe banimi është 1.758 euro. Me rritjen e interesit për blerjen e apartamenteve, rritet edhe çmimi i tyre në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Sipas të dhënave aktuale të “Numbeo”, çmimi mesatar për një metër katror hapësirë ​​banesore në Prishtinë është 1.365 euro.

Mal i Zi: Mbi 1.400 euro çmimi mesatar për metër katror sipërfaqe banimi

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave të Malit të Zi, çmimi mesatar për metër katror i një apartamenti të ri në Mal të Zi në tremujorin e parë të vitit 2023 është 1.341 euro. Konkretisht në Podgoricë 1.407 euro, në rajonin bregdetar 1.392 euro, në rajonin qendror 611 euro, ndërsa në rajonin verior çmimi mesatar i një metër katror apartament në një pallat të ri ishte 1.201 euro. Krahasuar me vitin e kaluar, metri katror në Podgoricë është rritur për 142 euro, por çmimi është ulur për 70 euro krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022.

Çmimi i apartamenteve të reja në BeH është 10% më i lartë

Çmimi mesatar i një sipërfaqeje banese në Mostar është 1.280 euro, në Sarajevë 2.045 euro dhe në Banja Llukë 1.789 euro, sipas çmimoreve të agjencive të patundshmërive. Çmimi mesatar i apartamenteve të reja në Bosnjë dhe Hercegovinë në tremujorin e parë të vitit 2023 krahasuar me çmimin mesatar në vitin 2022 është 10,1 për qind më i lartë, tha Byroja Federale e Statistikave. Megjithatë, numri i apartamenteve të shitura është 1,5% më i ulët.


TRT Balkan