“Copëza” shprese nga Osman Stafa.       Foto: TRT Balkan / Photo: Trt Balkan

Osman Stafa ushtron prej 10 vitesh profesionin e tij si gazetar. Por, paralelisht prej vitit 2015 ai është bërë nismëtari i disa prej kauzave sociale më të fuqishme në Shqipëri. Gazetari vendos të rrëfejë për TRT Balkan disa nga ngjarjet që kanë lënë më shumë gjurmë te ai.

“Profesioni i gazetarit ka shumë për të dhënë, sidomos në Shqipëri. Për të denoncuar, për të investiguar, probleme të ndryshme që lidhen me interesin publik, me abuzime dhe çdo gjë tjetër”, shprehet Osmani.

Investigimi i Osmanit për mungesën e ilaçeve në QSUNT që rrezikonin jetën e fëmijeve me tumor, është vlerësuar me çmim nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2023, u zgjodh “Reporteri i Vitit” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“Erdhi viti 2022 teksa u përballa me këtë situatën tjetër të mungesës së frikshme të medikamenteve onkologjike për këta fëmijë dhe unë aty vendosa që nuk do bëj më personin që u bën ditëlindjet apo personin që i plotëson një dëshirë. Do bëj tani gazetarin, sepse ajo situatë vetëm shkonte keq e më keq. Dhe po, jam i lumtur për vendimin që unë mora atëherë sepse nuk ka më mungesë medikamentesh në atë spital”, shpjegon gazetari.

Prej një dekade, Osmani organizon fushata sociale si “Një gjest që bëhet shpresë” apo “Po t’vjen një kartolinë”, duke bërë bashkë mijëra shqiptarë që kontribuojnë për shtresat vulnerabël të shoqërisë. “Emocioni që marrin ata fëmijë është i papërshkrueshëm. Një top kërkon…një top, që është ndoshta gjëja më e parëndësishme për shumë nga ne, por ai atë topin e shikon si gjënë më të rëndësishme që i ka ndodhur atë vit. Dhe këto i kam parë, jane emocione të jetuara këto”, thotë Osmani.

Osmani tregon se përgjatë këtyre viteve ka njohur dhe ka krijuar “miqësi” me fëmijë, të cilët fatkeqësisht, sot nuk jetojnë më, për shkak të humbjes së betejës me sëmundje vdekjeprurëse.

“Kanë qenë tre ngjarje që mua më kanë goditur shumë sepse edhe ndërrimi i jetës së këtyre fëmijëve ka qenë në një kohë të afërt me njëri - tjetrin. Kanë qenë shumë të forta saqë unë për një kohë shumë të gjatë nuk shkoja dot në atë pavion, sepse u lidha emocionalisht me këta fëmijë. Por ama, do të duhet të vendosësh, ose do të duhet të jetosh me këtë mërzitinë, me rënien shpirtërore ose do të duhet të shkosh atje për të ndihmuar të tjerë. Unë zgjodha këtë të dytën…” tregon Osmani.

Sipas gazetarit, shqiptarët kanë treguar se nuk janë indiferentë ndaj kauzave sociale, duke nënvizuar faktin se pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve të tij i përkasin shtresës së mesme të shoqërisë. “Shqiptarët po, e kanë treguar që janë njerëz me shpirt shumë të madh. Kërkojnë të besojnë…Thjesht kërkon një energji të mirë, njerëz që vërtet e duan këtë vend, njerëz të cilët vërtet duan të jetojnë për këtë vend, të mos korruptohen, të mos shikojnë idenë se si të pasurohemi. Tek e fundit nuk do të marrim asgjë, 2 metra vend do të marrim të gjithë. Çfarë na mbeti pastaj?!” thekson gazetari.

Nisur edhe nga historia e tij personale, një nga ëndrrat e Osmanit është që në të ardhmen t’i sigurojë të paktën tre fëmijëve jetim shkollimin e tyre…

TRT Balkan