Deklaratat e Vulin, Shqipëria thërret për sqarim ambasadorin serb në Tiranë/      Foto:  Ministria e Jashtme e Shqipërisë 

Ambasadori i Serbisë në Shqipëri, Slobodan Vukçeviq, është thirrur të martën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zëvendëskryeministri serb Vulin ka bërë ditë më parë në lidhje me vizitën dhe takimin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

Zëvendëskryeministri serb, më 13 maj 2024, duke iu referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me diasporën shqiptare në Greqi kishte thënë se: “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”.

Këto deklarata Ministria e Jashtme e Shqipërisë i quan provokuese dhe që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit dhe kërkoi reflektim.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, “deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”.

“MEPJ-ja pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak ditë më parë nisi një turne që synon mbledhjen e mbështetjes për Partinë e tij Socialiste edhe në mesin e diasporës shqiptare.

Të dielën e 12 majit ai ka qëndruar me shqiptarët në Athinë, ndërsa takime ka paralajmëruar edhe në Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

TRT Balkan / agjencitë