Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën për një protestë në sheshin Slavija të Beogradit të dielën, pas thirrjes së bërë nga grupet e studentëve.
Protestës së nisur pasdite i janë bashkuar fermerë, aktorë dhe qytetarë të shumtë të tjerë.
Një lumë njerëzish u derdh nga të gjitha anët në sheshin Slavija për të kërkuar që autoritetet serbe t'i përmbushin kërkesat e studentëve.
Protesta filloi me një minutë heshtje për qytetarët që humbën jetën nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, kur vdiqën 15 persona.
Pjesëmarrësit në protestë kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre lidhur me publikimin e gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, si dhe heqjen e akuzave ndaj të arrestuarve dhe të ndaluarve gjatë protestave të mëparshme.
Ndër kërkesat është po ashtu edhe ngritja e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të studentëve dhe pedagogëve.
Studentët kërkojnë edhe rritje 20 për qind të ndarjeve buxhetore për fakultetet.