Diplomacia e Shqipërisë reagon ndaj Serbisë për dëbimin e dy shtetasve          / Foto: Atsh

Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur në takim llogaridhënës ambasadorin serb Sllobodan Vukçeviq, pas ndalimit dhe largimit nga territory serb të dy shtetasve shqiptarë.

“Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Ministria e Jashtme beson se “ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë”.

MEPJ-ja, siç njoftohet, kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

TRT Balkan / agjencitë