Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë dhe ajo e Shqipërisë komentuan dënimin me burg të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar nga autoritet gjyqësore në Shqipëri për blerje votash.
Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar për dënimin me dy vite burg ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri.
"Vendimi i gjykatës së Shqipërisë ndaj Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, ngre shqetësime për subjektivitetin e procesit. Dënimi i shqiptuar është joproporcional me masën e krimit", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndërsa Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, duke komentuar reagimin e Athinës zyrtare tha se qeveria shqiptare respekton vendimet e gjykatave.
“Shqipëria do të vazhdojë të respektojë maksimalisht vendimet e gjykatave. Do të vazhdojë të mbështesë punën për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë të kryejë të gjitha detyrat që ka në ngarkim për integrimin në BE. Çdo koment tjetër është i panevojshëm”, theksoi Hasani.
Një ditë më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) dënoi me dy vjet burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri. Në një njoftim nga GjKKO-ja thuhej se Beleri është dënuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.