Pas 14 javë stërvitje, 24 efektivë finalizuan kursin e 20-të bazë “Komando”.
Mes tyre janë edhe tetë efektivë nga Kosova dhe për herë të parë këtë kurs e finalizuan edhe dy vajza.
Në ceremoninë e shpërndarjes simbolike të beretave ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral brigade Altin Kurti, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhia dhe familjarë të kursantëve.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Vengu tha se ndihej i privilegjuar për pjesëmarrjen në këtë ceremoni edhe për faktin se “sot nisin rrugëtimin e tyre të vërtetë tetë anëtarë të Forcës Speciale të Kosovës, të cilët do t’i shërbejnë vendit të tyre në këto kohë jo shumë të paqta”.
Teksa vlerësoi punën e bërë nga të gjithë efektivët, ministri Vengu i konsideroi ata pararojë e forcave ushtarake.
“Ndjenja e vetëmohimit dhe dashuria që keni për këtë uniformë nuk kam dyshim që ju ka shtyrë të nisni këtë kurs intensiv, ku nuk vihet në provë vetëm ngarkesa fizike, sepse një peshë po aq të madhe ka edhe ajo mendore e profesionale. Ju sot jeni pararojë e forcave tona ushtarake dhe nuk mund veçse të jem i lumtur që keni zgjedhur të hidhni një hap edhe më të madh e dinjitoz për ju, për ne dhe për Forcat e Armatosura”, tha Vengu.
Në krah të homologut të tij nga Kosova, Vengu u shpreh se nuk mund veçse të ndihet edhe më optimist, sepse e ardhmja e dy vendeve tona është në trungun e përbashkët të Aleancës, edhe pse shpirtërisht dhe emocionalisht nuk jemi ndarë asnjëherë.
“Shpërndarja simbolike e beretave për kursantët sot nuk është fundi i misionit për ne, por fillimi i një kapitulli tjetër për të çuar përpara dhe zhvilluar edhe më shumë misione të tilla kaq të rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës e si pasojë gjithë Ballkanit. Kjo ceremoni forcon jo vetëm marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit në fushën e arsimit ushtarak, por rrit edhe nivelin e shkëmbimit të eksperiencave me Kosovën, të cilën kemi dyfish përgjegjësi për ta ndihmuar e mbështetur në rrugën e anëtarësimit drejt strukturës më të madhe të sigurisë që ka njohur njerëzimi, Aleancës së NATO-s”, theksoi ministri Vengu.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, vlerësoi ministrin Vengu për qasjen e tij ndaj forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë periudhë si kulmin e marrëdhënieve në fushën e Mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kursantët demonstruan për të pranishmit: goditje objekti, infiltrim nga ajri dhe toka, qitje me pengesa e luftim trup me trup.
Kursi i 20-të bazë “Komando” zgjati 14 javë dhe u nda në tri faza. Nga 38 kursantë, vetëm 24 prej tyre arritën ta finalizojnë.