Türkiye dhe Kroacia janë vende aleate me lidhje të forta kulturore, edhe pse nuk kanë kufij të përbashkët, kështu deklaroi Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan nga Zagrebi, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit.
Ai pas takimit ceremonial me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, në një konferencë për media deklaroi se kanë arritur që të shënojnë rritje të shkëmbimit ekonomik Türkiye-Kroaci, madje duke tejkaluar edhe periudhën parapandemike.
“Vëllimi ynë tregtar shënoi një rikuperim të fortë vitin e kaluar, duke e tejkaluar periudhën para pandemisë dhe arriti në 900 milionë dollar”.
Türkiye dhe Kroacia synojnë të rrisin vëllimin e tregtisë dypalëshe, thotë Presidenti Erdogan, duke mirëpritur investimet e kompanive turke në Kroaci ku brenda 5 viteve vëllimi tregtar synohet të arrijë vlerën prej 5 miliard dollarësh.
Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç falënderoi Türkiyen për mbështetjen e vazhdueshme.
"Türkiye ishte me Kroacinë në kohë të vështira me mbështetjen e saj", tha Milanoviç.
Po ashtu presidenti Erdoğan deklaroi se Türkiye si një vend rajonal monitoron nga afër të gjitha zhvillimet në Ballkan dhe vazhdon të japë kontributet e nevojshme në këtë kontekst.
Temë diskutimi gjatë takimit të Erdoğan-Millanoviq ishin edhe zgjedhjet e ardhshme në Bosnjë e Hercegovinë.
Ndërsa sa i përket eksportit të grurit nga Rusia, Erdoğan premtoi se do të angazhohet që të flas me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në mënyrë që të gjindet një zgjidhje.
"Për ta kapërcyer këtë, ne do t'i diskutojmë këto çështje me Putinin në Samarkand. Shpresa jonë është që të fillojmë dërgesën edhe nga Rusia", përfundoi Erdoğan.
Erdoğan gjatë qëndrimit në Kroaci, do të bëjë edhe hapjen e Qendrës Kulturore Islamike në Sisak.
Presidenti turk gjithashtu do të pritet nga kryeministri Andrej Plenkoviq, do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Kroaci.
Nënshkruhen tre marrëveshje
Në praninë e Presidentit të Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij të Kroacisë, Zoran Milanoviq, janë nënshkruar tre marrëveshje në fusha të ndryshme.
Pas takimit kokë me kokë të Erdoğan dhe Milanoviq dhe mes delegacioneve, liderët morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve.
Në këtë kuadër, mes ministrisë së Brendshme të Türkiye-s dhe Kroacisë, është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për Sigurimin e Paqes dhe Rendit Publik. Krerët e ministrive në fjalë Süleyman Soylu dhe Davor Bozhinoviq gjithashtu nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave.
Ndërkohë, edhe kryetari i Arkivave Shtetërore të Presidencës së Türkiye-s, Uğur Ünal dhe kryetari i Arkivës Shtetërore të Kroacisë, Dinko Çutura, kanë nënshkruar një Protokoll Bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse.