Me finalet e EURO 2024, që do të nisin në më pak se 50 ditë, UEFA do të nxjerrë sot në shitje një sasi biletash të fundit, të disponueshme për t’u blerë, njoftoi Federata Shqiptare e Futbollit.
Biletat që janë në dispozicion do të përfshijnë biletat e ofruara për rishitje përmes platformës zyrtare të rishitjes në mars/prill, bileta të vëna në dispozicion pas finalizimit të konfigurimeve të stadiumeve dhe një numër të konsiderueshëm biletash me pamje të kufizuar me çmime më të ulëta.
Shitjet e minutës së fundit do të zhvillohen në bazë të prioritetit të aplikimit, derisa të shiten të gjitha biletat, dhe kjo është mundësia e fundit për të gjithë tifozët, përfshirë edhe ato shqiptarë që të blejnë bileta për të ndjekur ndeshjet e EURO 2024 në stadium.
Ashtu si me fazat e mëparshme të shitjeve, biletat pritet të shiten shumë shpejt, veçanërisht për ndeshjet me kërkesa të larta, siç janë ndeshjet që përfshijnë vendin pritës Gjermaninë ose vetë finalen. Numri i biletave të disponueshme do të ndryshojë nga ndeshja në ndeshje. Në total, do të nxirren në shitje më shumë se 100.000 bileta.
Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë Taulant Balla muaj më parë informoi se tifozët shqiptarë renditën ndër të parët për kërkesat më të mëdha për ndeshjet e kombëtares kuq e zi në EURO 2024 në Gjermani.
Ndeshjen e parë në EURO 2024 Shqipëria e luan kundër Italisë më 15 qershor, pastaj kundër Kroacisë më 19 qershor dhe ndeshjen e tretë kombëtarja kuq e zi e zhvillon kundër Spanjës më 24 qershor.