Festohet Viti i Ri në vendet e rajonit      / Foto: AA

Viti i Ri 2024 është pritur me muzikë, argëtim dhe fishekzjarre në mesnatë në sheshet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.

Me një pamje spektakolare me ndezjen e fishekzjarreve që krijuan drita shumëngjyrëshe mijëra qytetarë të tubuar në sheshe dhe rrugët e qyteteve pritën Vitin e Ri.

Shqipëri

Nata e ndërrimit të viteve në Shqipëri është festuar me evente të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Me rastin e Vitit të Ri 2024, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës janë organizuar evente të ndryshme në kryeqytetin e Shqipërisë.

Në Tiranë është organizuar spektakli tradicional i fishekzjarrëve dhe koncert, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve.

Në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë është organizuar shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve, duke u krijuar një atmosferë festive.

Gjithashtu edhe qytetarët iu janë bashkuar ndezjes së fishekzjarrëve në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Kosovë

Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, për të pritur në ambient të hapur në qendër të qytetit Vitin e Ri 2024, me një koncert dhe shfaqje fishekzjarresh.

Në sheshin e ri "Xhorxh Bush" mijëra qytetarë festuan me interpretues të njohur shqiptarë.

Në të njëjtin shesh ndodhen edhe shtëpizat prej druri ku qytetarët mund të shërbehen me ushqime dhe pije. Ndërkohë Prishtina është zbukuruar me dekorime dhe drita të shumta në sheshet kryesore.

Ky Vit i Ri për kosovarët është më i veçantë për faktin se ata nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Schengen pa regjim të vizave, vendim të cilin e kanë pritur për vite me radhë.

Maqedoni e Veriut

Qytetarë të shumtë e kanë pritur Vitin e Ri në sheshin "Maqedonia" në Shkup, ku janë argëtuar nga grupe të ndryshme muzikore nga vendi.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ky ndërrim motmotesh nuk është përcjellur me fishekzjarrëve të organizuara nga institucionet, por qytetarët kanë hedhur fishekzjarrë me iniciativë të tyre.

“Këtë vit, në vend të fishekzjarreve, mjetet janë ridrejtuar për qëllime humanitare”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Një pjesë e qytetarëve e pritën Vitin e Ri në një atmosferë shtëpiake, në rrethin e familjes.

AA