Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete. / Foto: AA

Bashkimi Evropian (BE) duhet t'ia "puthë duart" Serbisë për bashkëpunimin që Serbia dhe Hungaria kanë treguar në mbrojtjen e kufijve të BE-së, deklaroi sot kryeministri sllovak Robert Fico në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Ai shpjegoi se rruga e migrimit që i referohej Serbisë dhe Hungarisë dhe numri i kalimeve ilegale janë ndryshuar tërësisht.

"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.

Fico ndodhet për vizitë zyrtare në Serbi, gjatë së cilës është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilës i ka paraprirë një pritje ceremoniale para Pallatit të Serbisë. Është mbajtur edhe takimi i delegacioneve të dy vendeve të kryesuara nga Vuçiq dhe Fico.

Kryeministri sllovak tha se të dy vendet mund të mbështeten tek njëra-tjetra. "Ne e respektojmë integritetin territorial të Serbisë dhe sa i përket Kosovës, nuk do t'ju zhgënjejmë kurrë", theksoi Fico.

Ai e përgëzoi Serbinë për rezultatet e shkëlqyera në zhvillimin ekonomik si dhe për politikën e saj në të katër anët e botës.

"Nuk mund ta harroj vëmendjen që ju tregoni për sllovakët që jetojnë këtu. Dua të theksoj se këta janë sllovakë që e duan Serbinë, vendin ku jetojnë dhe në të njëjtën kohë po përpiqen të ruajnë traditat që sollën kur erdhën këtu", tha Fico.

Ai tha gjithashtu se Sllovakia respekton që Serbia është në negociata para-anëtarësuese me BE-në dhe se do të mbështesë çdo vendim të saj.

"Dëshiroj të ofroj përvojën unike të Sllovakisë nga negociatat e anëtarësimit që rezultuan me hyrjen e Sllovakisë në BE në vitin 2004. Ne bëmë gabime tragjike në procesin e anëtarësimit që dobësuan, për shembull, sigurinë tonë energjetike. Kemi bërë gabime që kanë dimensione të tjera. Shpesh kemi qenë nën presion për të marrë vendime që nuk do t'i kishim marrë kurrë në rrethana të tjera", tha Fico.

Sipas tij, bota është nervoze kur bëhet fjalë për konfliktin në Ukrainë, duke ndërprerë lidhjet e vjetra kur bëhet fjalë për furnizimin me energji.

"Mund të them me krenari se dje miratuam hapat e radhës në ndërtimin e një reaktori të ri bërthamor, i cili do të na sigurojë energji të mjaftueshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për eksport", tha Fico, duke shtuar se do të ishte i lumtur të ndajnë përvojën e tij me Serbinë dhe në atë fushë.

Ata biseduan edhe për bashkëpunimin e kompanive në fushën e ujësjellësit, por edhe për çështjet e sigurisë.

"Republika e Sllovakisë dëshiron të kthehet me ushtarë në Kosovë në misionin e quajtur KFOR. Ju lutemi ta merrni si nder, sepse ne duam që bota të marrë informacione objektive dhe ne duam ta kemi atë", tha ai dhe shtoi se ata duan të ndihmojnë.

Vuçiq: "Ne duam paqe"

Vuçiq tha se është jashtëzakonisht i kënaqur që kanë mundur të diskutojnë të gjitha çështjet strategjike të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Sllovakisë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fusha të ndryshme nga energjia deri tek turizmi.

Ai ka deklaruar se edhe sot është munduar të mësojë shumë gjëra nga Fico, pasi dikur ka mësuar se si të përdorë bonot për turistët vendas në mënyrë që sa më shumë njerëz të qëndrojnë në Serbi në vend që të shpenzojnë para jashtë vendit.

"Dhe siç e dini, ne kemi tetë vjet që e aplikojmë me shumë sukses atë sistem bono në vendin tonë. Së shpejti do t'i prezantoj para opinionit idetë e reja që kam marrë nga kryeministri Fico dhe besoj se qytetarët e Serbisë do të jenë të kënaqur me të", tha Vuçiq.

Ai theksoi se është biseduar edhe për situatën gjeopolitike të Serbisë dhe Sllovakisë.

"Ajo që mund të them është se ne bashkërisht besojmë se paqja në Ukrainë është e nevojshme edhe për Rusinë, sepse një pjesë e luftës po zhvillohet sot në territorin e Rusisë. Pra, që paqja është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme, që më tej, ajo e ardhme apo tashmë disa vendime që janë marrë, të cilat vetëm e ndezin më tej konfliktin e luftës, nuk sjellin asgjë të mirë për asnjërën nga palët ndërluftuese, por as për asnjërin prej nesh në Evropë", tha Vuçiq.

Sipas tij, Serbia dhe Sllovakia do të mbrojnë së bashku të arriturat e luftës kundër fashizmit dhe nazizmit nga e kaluara dhe nuk do të lejojnë rishikimin e fakteve historike.

Vuçiq shtoi se Serbia është tronditur nga sulmi ndaj kryeministrit Fico, duke thënë se e kanë kuptuar shumë mirë si një mesazh urrejtjeje që është përhapur kundër kryeministrit sllovak me muaj e vite.

"Ne sot diskutuam për çështje të rëndësishme politike dhe dëshirën për të pasur qasje të ndryshme nga ajo që është shumicë në tokën evropiane dhe botërore, në të cilën të gjithë duan të fitojnë dikë ose të mposhtin dikë. Ne duam paqe", tha Vuçiq dhe shtoi se kështu do të vazhdojmë ta zhvillojmë politikën e tyre.

Ai shtoi se u diskutua për vendosjen e një linje ajrore ndërmjet Beogradit dhe Sllovakisë dhe se ka dy opsione, Beograd-Koshicë, që do të ishte më e përshtatshme për Serbinë dhe Beograd-Bratislavë, si dhe përvojën e Sllovakisë në energjinë bërthamore dhe investimet nga kompanitë sllovake.

Presidenti serb ka falënderuar kryeministrin e Sllovakisë që do të ketë 60 ushtarë në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë