Ditën e djeshme, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u mblodh Komisioni Përzgjedhës i filmit që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences” për vitin 2025.
Pas thirrjes së hapur nga QKK-ja, aplikoi vetëm shtëpia kinematografike Era Film me filmin artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji” me regji të Robert Budinës.
Komisioni votoi unanimisht pro kandidaturës së paraqitur nga shtëpia kinematografike Era Film për filmin, për të qenë filmi “Pikë uji” përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë International Feature Film, në edicionin e 97-të të Çmimeve OSCAR.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë i uroi suksese regjisorit Robert Budina dhe producentes Sabina Kodra.
Filmi “Pikë uji” pati premierën vetëm 1 javë më parë në kinematë e kryeqytetit. Në qendër të historisë, shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha e Ajola Daja, qëndron Aida. Ajo ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj, por kur djali i saj Marku përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet. Sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin?
“Pikë uji” është një thriller emocionues që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, MIBAC, QKK Kosovë, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, Creative Europe Media, SEE.