Bordi drejtues i Forumit të Investimeve të Odave ekonomike nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbajti sot në Shkup seancën e tij të 33-të.
Para fillimit të seancës është mbajtur një konferencë për media nga Lulzim Rafuna, kryetar i Bordit Drejtues; Branko Azeski, nikoqir dhe nënkryetar i Bordit Drejtues si dhe Ahmet Egrliq, anëtar i Bordit Drejtues.
Përfaqësuesit kujtuan se Forumi i Investimeve të Odave u krijua në vitin 2015 në kuadër të Procesit të Berlinit, me iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel.
Lulzim Rafuna, i cili është edhe kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka theksuar se Forumi i Investimeve i Odave është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për vendet e rajonit. Ai shtoi se Forumi i Investimeve i Odave përfaqëson 375 mijë kompani që punësojnë rreth 7 milionë njerëz.
Duke folur për vitin 2025, Rafuna tha se është përgatitur një plan i ri me hapa konkretë, përfshirë aktivitete me mbështetjen e Komisionit Evropian.
"Dy që do të kisha potencuar janë organizimi i takimeve të bizneseve tona me bizneset e Bashkimit Evropian dhe e dyta, promovimi i Ballkanit Perëndimor si ambient miqësor për të bërë biznes", tha Rafuna.
Branko Azeski, i cili është edhe kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, tha se Forumi i Investimeve të Odave është shndërruar në një institucion serioz me rol të rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Sot në rend dite është programi i punës për vitin 2025 dhe në bazë të atij programi do t'i drejtojmë aktivitetet tona, të cilat janë të koordinuara me Bashkimin Evropian, veçanërisht me Drejtorinë për Fqinjësi të Mirë me të cilën kemi bashkëpunim të shkëlqyer", tha Azeski.
Ahmet Egrliq, i cili njëherësh është kryetar i Odës së Tregtisë së Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), në deklaratën e tij tha se ekonomia e BeH-së ka interes të jashtëzakonshëm që Ballkani Perëndimor të integrohet plotësisht dhe se ekonomitë të mos kenë asnjë pengesë.
"Kur bëhet fjalë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, këtu shkëmbim më të madh tregtar kemi me Serbinë. Pastaj kemi rritjen e eksporteve në Kosovë. Me vendet e tjera, edhe përkundër marrëdhënieve të mira dhe miqësore, nuk kemi shkëmbim tregtar të jashtëm adekuat. Bashkëpunimi i mirë me odat e Ballkanit Perëndimor do të çojë në shkëmbim më të madh të tregtisë së jashtme edhe me vendet e tjera", tha Egrliq.