Në tremujorin e tretë të këtij viti, 2 milionë e 476 mijë e 244 pasagjerë kanë udhëtuar me linja ajrore përmes aeroportit të Rinasit në Shqipëri.
Instituti i Statistikave i Shqipërisë, INSTAT, publikoi sot raportin lidhur me transportin ajror ku bëhet e ditur se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes Rinasit është rritur me 32,8 për qind.
Ndërkohë, volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 490,5 tonë, nga të cilat 73,8 % janë mallra të hyra dhe 26,2 % janë mallra të dala. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, volumi i mallrave paraqitet me ulje 1,4 %.
Referuar të dhënave, gjatë tremujorit të tretë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 112.850 avionë.
Në transportin ajror operojnë 21 shoqëri ajrore, nga këto 19 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri të Shqipërisë.