Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjPAKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg", për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është në paraburgim, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.
Seanca e sotme në GjPAKKO ka zgjatur disa orë, duke lënë në fuqi vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë (GjKKO).
Në një njoftim nga GjPAKKO thuhet se gjykata ka vendosur të miratojë vendimet e GjKKO-së për Metën, të datave 20 dhe 23 tetor 2024.
Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi, me të cilën janë në proces divorci dhe e cila akuzohet për të njëjtat vepra penale si Meta.
GjKKO-ja vendosi më 20 tetor të këtij viti masën arrest me burg për Metën, vendim i konfirmuar dhe lënë në fuqi nga kjo gjykatë më 23 tetor.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar më 21 tetor i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit 'CEZ-DIA' dhe për kontrata lobimi në ShBA".
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Sipas SPAK-ut, Meta si ish-ministër i Ekonomisë, i Tregtisë dhe i Energjetikës, post të cilin e ka mbajtur disa vite më parë, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet një kompanie dhe kompanisë CEZ Shpërndarje (ish-kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri), kontratë e cila kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Gjithashtu, sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se Meta në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij si deputete kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe te drejtuesit e kompanive të telefonave celularë, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis disa kompanive.
Më tej, thuhet se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, duke përfituar sipas SPAK-ut përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë.
SPAK-u thotë se përgjatë periudhës 2016-2017, Meta, me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Meta ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi në ShBA me një kompani, që sipas autoriteteve nuk janë deklaruar.
Ndër të tjerash, theksohet se nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019.