Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, i cili është në paraburgim, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.
Në seancën e sotme gjykata vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurisë “arrest në burg” për Metën, sipas njoftimit për mediat nga GjKKO-ja.
Më tej, gjykata ka konfirmuar se edhe bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, do ta zbatojë masën e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për vepra penale të njëjta me Metën.
Gjykata njoftoi se kundër vendimit të sotëm mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.
Çështja e ish-presidentit Meta
Ilir Meta me urdhër të SPAK-ut është arrestuar më 21 tetor si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit 'CEZ-DIA' dhe për kontrata lobimi në ShBA".
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur se Meta është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Sipas SPAK-ut, Meta si ish-ministri i Ekonomisë, i Tregtisë dhe i Energjetikës, post të cilin e ka mbajtur disa vite më parë, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet një kompanie dhe kompanisë CEZ Shpërndarje (ish-kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri), kontratë e cila kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Gjithashtu, sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se Meta në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij si deputete kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis disa kompanive.
Më tej, thuhet se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, duke përfituar sipas SPAK-ut përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë.
Sipas SPAK-ut, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta, me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi në ShBA me një kompani, që sipas autoriteteve nuk janë deklaruar.
Ndër të tjera, theksohet se nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019.
Karriera politike e Metës
Ilir Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës nëntor 1999-shkurt 2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Nga shtatori 2013 deri në prill 2017, ai ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në periudhën korrik 2017-24 korrik 2022, Meta ka qenë president i Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, Meta ka mbajtur dhe disa poste ministrore në disa qeveri të Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.