Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më 12 maj do të qëndrojë në Athinë ku do të zhvillojë një takim me bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë atje.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ftuar shqiptarët të marrin pjesë në takim, që siç sqaron do të mbahet në stadiumin e Galatsit në Athinë.
“Duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë”, shkruan Rama.
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama do të zhvillojë tur takimesh me diasporën shqiptare, si pjesë e turit të rienergjizimit të Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë do të nisë turin e takimeve me diasporën shqiptare nga Athina, Greqi, këtë të diel, për të vijuar në Angli, Londër dhe më pas në Romë, Itali. Procesi i rienergjizimit të Partisë Socialiste vjen në kuadër të vizionit të PS-së për “Shqipëria 2030”.