Grupi i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën disa ditë më parë në Shqipëri është kthyer në Itali, pas vendimit të një gjykate italiane.
Emigrantët janë transportuar me autobusë nga ambientet e kampit në Gjadër drejt portit të Shëngjinit në Qarkun e Lezhës, për t’u nisur drejt Italisë me anijen e rojës bregdetare italiane.
Gjykata e Apelit në Romë vendosi që emigrantët e paligjshëm që mbërritën disa ditë më parë në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve, të kthehen në Itali.
Anija e Marinës italiane me 49 emigrantë mbërriti në orët e mëngjesit të 28 janarit në Portin e Shëngjinit, nën shoqërimin e përfaqësuesve të autoriteteve italiane, por disa emigrantë u rikthyen në Itali.
Ardhja në Shqipëri e një grupi tjetër emigrantësh të paligjshëm riaktivizoi marrëveshjen Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve.
Gjatë vitit 2024 mbërritën edhe dy grupe emigrantësh, por u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të gjykatave italiane.
Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.