Në e-Albania, ashtu siç edhe ishte lajmëruar, u hap sot aplikimi për menaxhimin e stacioneve të plazhit për vitin 2025.
Njoftimi është dhënë sot nga ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro, duke theksuar se risi do të jetë aplikimi vetëm nga strukturat akomoduese që ndodhen në vijën e parë të plazhit apo në afërsi. “Sezoni veror 2025 nis që sot. Hapet sistemi onlajn në e-Albania për menaxhimin e stacioneve të plazhit për subjektet me struktura akomoduese pranë plazheve, sipas kritereve ligjore të përcaktuara.
Pas një pune të gjatë me stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe bashkitë, sollëm edhe përmirësimet ligjore që garantojnë dyfishimim e hapësirave publike dhe shpërndarjen e tyre në gjithë vijën bregdetare. Ky vit vjen me një ndryshim të madh, ku vetëm strukturat hoteliere mund të menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve”, është shprehur Kumbaro, duke shtuar se sistemi do të qëndrojë i aksesueshëm për 30 ditë për të garantuar një proces të barabartë dhe transparent.
Procesi i aplikimit do të kryhet në përputhje me rregulloren e re “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë si stacion plazhi”. Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.
Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ku ministrja Kumbaro vlerësoi se me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh. Ajo theksoi rolin e bashkive në terren si administratore të parcelave publike të plazheve, me fokus pastërtinë. “Parimi i kësaj rregulloreje të re është që menaxhimi i një stacioni plazhi nuk është arsyeja kryesore për të bërë biznes. Është një aksesor, një atraksion shtesë, një shërbim shtesë për një biznes të konsoliduar në fushën e turizmit ku aktiviteti kryesor është akomodimi. Kemi disa ndryshime thelbësore. Do të lirohen shumë më tepër hapësira, stacione plazhi për publikun, por të cilat do të menaxhohen, do të mirëmbahen nga bashkitë”, u shpreh më herët gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro.