Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit "Kosova 2024" në Prishtinë      / Foto: AA

Edicioni i tretë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit "Kosova 2024" është hapur në Prishtinë, i cili pritet të zgjasë dy ditë radhazi.

Në këtë panair, në të cilin janë pjesmarrës më shumë se 300 kompani nga 15 shtete, po zhvilllohet në kryeqytetin Prishtinë. Panairi i organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe nën patronatin e Komunës së Prishtinës do të ofrojë edhe oferta turistike me zbritje për qytetarët.

Drejtori ekzekutiv i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, u shpreh se fundi i vitit 2023 u mbyll me një rritje me mbi 28,4 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që e vizituan Kosovën dhe ky trend po vazhdon e rritet.

Më tej, Hoti bëri një krahasim me janarin e vitit 2024 me atë të vitit të kaluar dhe tha se ka pasur një rritje prej 50,8 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë të cilët po frekuentojnë Kosovën.

“Pra, tashmë Kosova nuk është vetëm një vend transit për vizitorët, por është një vend ku vizitorët po qëndrojnë dy, tri e katër ditë dhe po bëhet çdo ditë më atraktive, falë potencialeve të cilat i ka dhe angazhimit të aktorëve", theksoi Hoti.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se në këtë panair po marrin pjesë pjesëmarrës nga vendet fqinje me Kosovën por edhe nga Türkiye, Japonia, Bullgaria, Malta e të tjerë.

Sipas Ramës, panairi ndërkombëtar i turizmit shërben si një qëllim jetësor për kryeqytetin dhe vë në qendër të vëmendjes potencialin e madh dhe të gjerë që ka Kosova, sikurse një destinacion turistik i pasur me kulturë, me histori, bukuri natyrore mbresëlënëse.

Ai theksoi se ky panair tenton të nxisë po ashtu bashkëpunimin mes subjekteve turistike në rajon.

Gjatë kohës së panairit me 12 dhe 13 prill, qytetarët do të mund të përfitojnë zbritje 20 për qind në ofertat turistike si dhe të fitojnë shpërblime si bileta të aeroplanit, akomodime në hotele të ndryshme, aranzhmane turistike, shëtitje turistike, darkë për çifte, e shumë dhurata të tjera.

TRT Balkan / agjencitë