Hapet parkingu solar i Prishtinës      / Foto: AA

Në Parkun e Gërmisë në Prishtinë është bërë hapja e Parkingut Solar të Prishtinës, një iniciativë inovatore për të instaluar përafërsisht 36,4 KW panele solare fotovoltaike, duke nxitur mobilitetin e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.

Parkingu Solar i Prishtinës u zbatua në kuadër të "BE për tranzicion të energjisë: Konventa e Kryetarëve të Komunave në Ballkanin Perëndimor dhe Türkiye", bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatuar nga "Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH" në Ballkanin Perëndimor.

Në inaugurimin e parkut u tha se ky është moment i rëndësishëm i rrugëtimit të Prishtinës drejt të ardhmes së qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.

Dukagjin Bakija, koordinator i projektit të GIZ-it, theksoi se ky projekt siguron prodhimin e energjisë elektrike prej përafërsisht 36,4 KW me ndihmën e paneleve fotovoltaike diellore.

Bakija tha se me projektin në fjalë do të furnizohet me energji solare ndriçimi i parkut, ndriçimi në pishinën e Gërmisë si dhe objektet tjera përreth si dhe do të promovohet energjia e gjelbër dhe mbrojtja e mjedisit.

“Ideja është që pasi jemi të lidhur me rrjetin e furnizimit të rrymës në Kosovë të prodhojmë rrymë që të shërbejë për ndriçim të Parkut të Gërmisë, për pishinën publike si dhe për çdo shfrytëzim të ardhshëm të hapësirës këtu përreth”, theksoi ai.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushtaku-Sadriu, tha se Prishtina po bëhet lidere në rajon duke filluar një projekt që sjell frymën e gjelbër të energjisë së ripërtërishme dhe që do të aplikohet në shumë ndërtesa në kryeqytet.

“Shumë hapësira tona, shkolla, çerdhe, shumë jetike për zhvillimin tonë shoqëror do të mund të ishin pjesë e një qasje të tillë që do t’u shërbenin qytetarëve dhe shëndetit tonë publik”, theksoi Lushtaku-Sadriu.

Shefja e Seksionit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Annacarin Platon, theksoi se Prishtina dhe Istogu janë dy komunat të cilat deri më tani kanë përfituar në kuadër të planit të energjisë së ripërtërishme.

“Projekti i këtushëm është pjesë e përkrahjes tetëmilionëshe sa i përket tranzicionit të energjisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Türkiye së bashku me qeverinë gjermane. Kosova ka përfituar sa i përket planit të veprimit të energjisë së ripërtërishme dhe të qëndrueshme me dy komuna, Prishtinën dhe Istogun, ashtu sikurse edhe me dy projekte solare, në Gërmi dhe Novo Bërdë”, theksoi ajo.

Ky projekt, që përfaqëson një investim prej 50 mijë eurosh, pritet të zvogëlojë emetimet e dioksidit të karbonit përafërsisht me 44 mijë e 712 tonë në vit, duke vendosur një precedent për zhvillimin e qëndrueshëm në mbarë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Projekti i Parkut të Gërmisë është i bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe i mbështetur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

TRT Balkan / agjencitë