Kosovë, shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur / Photo: AA

Në Kosovë shënohet 27 Prilli, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur.

Me këtë rast, Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi tryezë diskutimi me rastin e shënimit të kësaj dite, ku po ashtu publikoi një raport me të dhëna mbi të pagjeturit.

Sipas raportit, në varrezat masive në Serbi që nga paslufta e vitit 1998-1999 deri në vitin 2021 janë gjetur 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë.

Duke pasur parasysh numrin e ulët të personave të dënuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, raporti i institucionit të Avokatit të Popullit thekson se "institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë përmbushur obligimet e veta karshi viktimave në ofrimin e drejtësisë".

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se pas përfundimit të më shumë se 25 viteve nga lufta në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve nga periudha e luftës.

Qelaj u bëri thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që pa kompromis të ushtrojë presion për të detyruar autoritetet përgjegjëse të ofrojnë mbështetjen dhe të dhënat që çojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

"Ofrimi i të dhënave për të zhdukurit, gjykimi dhe dënimi i përgjegjësve dhe atyre që kanë kryer këto krime duhet të jetë detyrim dhe kusht për secilën palë përgjegjëse, ashtu siç përcakton Konventa Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja e dhunshme dhe instrumentet tjera ndërkombëtare", theksoi Qelaj.

Ai shtoi se refuzimi dhe hezitimi për të ofruar të dhëna dhe dëshmi për personat e zhdukur, është e papranueshme dhe paraqet mohim të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Sipas tij, çështja e personave të zhdukur duhet të vlerësohet si prioritet që nuk duhet të kalohet edhe në dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se gjatë vitit 2023 janë hulumtuar/gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës në përpjekje për të gjetur trupa të të zhdukurve.

Hoti theksoi se rreth 20 persona që potencialisht janë të zhdukur janë arritur të merren dhe janë dërguar në institucione përkatëse për analiza.

"Nëntë persona kemi arritur t'ua dorëzojmë familjarëve eshtrat e këtyre personave gjatë vitit të kaluar. Ndërkaq, gjatë vitit 2024 deri më tani, kemi gërmuar në katër lokacione, me ç’rast presim edhe 12 lokacione të tjera, sepse jemi në fazën e hulumtimit të informacioneve dhe dokumenteve, që t'i realizojmë. Të gjitha këto e përbëjnë numrin total prej mbi 2.800 lokacione të gërmuara në Republikën e Kosovës", theksoi Hoti.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000 nga të cilët mbi 10 mijë persona kanë qenë civilë ndërsa 1.133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë ose të zhdukur.

AA